KGJK dhe gjykatat diskutojnë Raportin e OSBE-së për monitorimin e proceseve gjyqësore për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë

KGJK dhe gjykatat diskutojnë Raportin e OSBE-së për monitorimin e proceseve gjyqësore për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë

Prishtinë, 11 tetor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj së bashku me kryetarë të gjykatave, priti në takim Udhëheqësin e Projektit të OSBE-së për Monitorimin e Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Kahramon Sanginov, me bashkëpunëtorë.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me gjetjet dhe rekomandimet për raportin e rasteve të monitoruara të krimit të organizuar dhe korrupsionit për periudhën korrik 2021 – qershor 2023, si dhe mënyrave se si këto rekomandime do të mund të zbatohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Kryesuesi Zogaj theksoi vazhdimin e bashkëpunimit të KGJK-së dhe gjykatave me projektin e OSBE-së, si dhe shprehi përkushtimin dhe gatishmërinë për çdo iniciativë që ka për qëllim rritjen e transparencës dhe efikasitetit në këtë drejtim, me qëllim që Republika e Kosovës të arrijë progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

“Përmbajtja dhe të gjeturat e këtij raporti, do të trajtohen edhe në ‘Ditët e Gjyqësorit’ si dhe do të gjejmë mënyra të adresimit të të gjitha rekomandimeve të dalura nga ky raport, të cilat do të rrisin efikasitetin e punës së gjykatave”, tha mes tjerash Zogaj.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e projektit të OSBE-së, shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së sistemit gjyqësor në fushën e reformës së drejtësisë penale, specifikisht në gjykimin e rasteve serioze të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.