Vazhdon bashkëpunimi i KGJK-së me institucionet korrektuese dhe shërbimin sprovues të Kosovës

Vazhdon bashkëpunimi i KGJK-së me institucionet korrektuese dhe shërbimin sprovues të Kosovës

Prishtinë, 10 tetor 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Misioni në Kosovë (OSBE), ka mbajtur punëtori lidhur me bashkëpunimin e institucioneve korrektuese dhe shërbimit sprovues të Kosovës me Panelin për lirim me kusht.

Gjatë kësaj punëtorie, u diskutuan: sfidat e institucioneve korrektuese, Shërbimit Sprovues të Kosovës dhe bashkëpunimi me Panelin për Lirim me Kusht, rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit mbi punën e institucioneve korrektuese dhe Panelit për lirim me kusht dhe rekomandimet e Panelit për lirim me kusht për institucionet korrektuese dhe shërbimin sprovues të Kosovës.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm të Panelit për lirim me kusht, me institucionet korrektuese, i cili ka pasur trend pozitiv në vitet e fundit. 

“Një ndër të arriturat e KGJK-së është edhe rritja e transparencës së punës së Panelit për lirim me kusht prandaj, Këshilli Gjyqësor do të vazhdoj të punoj për t’iu përshtatur dinamikave dhe trendeve aktuale në trajtimin kërkesave të të dënuarve, duke avancuar efikasitetin, efektivitetin dhe besueshmërinë në sistem”, tha mes tjerash Zogaj.

Punëtoria mblodhi përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Institucioni i Avokatit të Popullit, Misioni EULEX, dhe përfaqësues nga institucionet korrektuese dhe shërbimi sprovues i Kosovës.