Mbahet Samiti Vjetor për Inovacione në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë

Mbahet Samiti Vjetor për Inovacione në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë

Prishtinë, 5 tetor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, mori pjesë në Samitin e dytë vjetor për Inovacione në Sistemin e Drejtësisë në Kosovë, të organizuar nga Projekti i USAID-it për Drejtësi.

Samiti mblodhi përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile, bizneset dhe donatorët ndërkombëtarë, me qëllim të identifikimit të sfidave në sistemin e drejtësisë dhe gjetjen e mënyrave inovative për zgjidhjen e tyre.

Me këtë rast, gjatë fjalimit të tij, kryesuesi Zogaj ka falënderuar të gjithë partnerët zhvillimorë të sistemit gjyqësor për përkrahjen e vazhdueshme, në veçanti USAID, i cili mbetet i përkushtuar të ndihmojë në vazhdimësi sistemin gjyqësor për të ndërtuar një sistem drejtësie sa më të drejtë dhe efikas për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Shërbimet online për qytetarët, janë shtuar në listën e detyrave të sistemit gjyqësor, dhe me këtë logjikë gjatë viteve të fundit kemi arritur që të digjitalizojmë dhe të ofrojmë shumë shërbime online, falë ndihmës së partnerëve ndërkombëtarë. Ne do ti hapim rrugën edhe komunikimit të palës me gjykatën, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në gjykatë, për të lehtësuar procedurat gjyqësore. Po ashtu, objektivi i sistemit gjyqësor do të jetë edhe investimi në Teknologjinë Informative dhe digjitalizim të shërbimeve, gjithmonë duke synuar qëllime të përbashkëta për një gjyqësor efikas, transparent dhe llogaridhënës, që i shërben nevojave të publikut”, tha mes tjerash Zogaj.