Prishtinë, 23 shtator 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka organizuar testin me shkrim në lëmin penale për kandidatët për gjyqtarë, në kuadër të procesit të rekrutimit të 47 pozitave për gjyqtarë në gjykatat themelore të Republikës së Kosovë, prej tyre 5 të rezervuara për komunitetin jo shumicë.
Nga gjithsej 187 kandidatë të cilët kanë kaluar testin kualifikues, morën pjesë 186 kandidatë, prej tyre 96 femra, ndërsa 90 meshkuj. Ky proces u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Komisioni për Rekrutimin e Gjyqtarëve në ditën e mbajtjes së testit, ka përpiluar me shkrim detyrën në lëmin penale për kandidatët, me qëllim të rritjes së transparencës në sistemin gjyqësor.
Mbarëvajtjen e procesit të testit e ka mbikëqyrur, Zëvendës Kryesuesi i KGJK-së, njëherësh edhe Kryetar i Komisionit për Rekrutimin e Gjyqtarëve, Qerim Ademaj, i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të këtij Komisioni.
Zëvendës Kryesuesi Ademaj, duke u uruar suksese kandidatëve që iu nënshtruan këtij testi, potencoi se KGJK ka ndërmarrë të gjitha veprimet që procesi i testimit të realizohet në mënyrë profesionale e të bazohet në meritokraci.
Për vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e këtij procesi kontribuan, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, anëtarë të KGJK-së, si dhe përfaqësues nga partnerët ndërkombëtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).