Mbahet takimi i 315-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 315-të i KGJK-së

Prishtinë, 21 shtator 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 315-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës:

• Këshilli themeloi grupin punues për hartimin e Strategjisë së Gjykatës Komerciale për vitet 2024 – 2026. Drejtori i Projektit të USAID – Drejtësia Komerciale, Christopher Thompson, tha se do ta mbështesë hartimin e kësaj Strategjie me qëllim të përmirësimit të kapaciteteve të kësaj gjykate, qasjes në shërbime cilësore, si dhe rritjes së besueshmërisë në sistemin e drejtësisë;

• Anëtarët aprovuan rekomandimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës nga takimi i datës 5 shtator 2023, për hartimin e Planit të veprimit për inspektim të përgjithshëm, të mënyrës së funksionimit të administratës gjyqësore;

• Raportin për punën e komisioneve të KGJK-së për gjashtë mujorin e parë të vitit 2023, e kanë paraqitur:

  • Kryetarja e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve;
  • Kryetarja e Komisionit për Çështje Normative;
  • Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave;
  • Kryetari i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel dhe
  • Kryetari i Komisionit për Trajnime.

• Lidhur me punën e Njësisë për Inspektim Gjyqësor, ka raportuar u.d. i Drejtorit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor, ndërsa për punën e Sekretariatit të KGJK-së, ka raportuar Drejtori i Përgjithshëm i SKGJK-së;

Pas raportimit, të gjitha raportet e punës u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.

• Anëtarët konfirmuan listën përfundimtare të kandidatëve të përzgjedhur për bashkëpunëtorë profesional në gjykatat e Republikës së Kosovës, të cilët do të fillojnë punën në gjykata nga data 1 tetor 2023;

• Kryetari i Komisionit për Trajnime, ka prezantuar Raportin për vlerësimin e nevojave trajnuese për administratën gjyqësore;

• Anëtarët autorizuan Komisionin për Çështje Normative, Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve dhe Komisionin për Trajnime për hartimin e Protokollit për trajnimet e detyrueshme për gjyqtarët me performancë të dobët;

• Këshilli miratoi shpalljen e konkursit të brendshëm për një pozitë për anëtarë të Komisionit për Vlerësim të Perfomancës së Gjyqtarëve nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, me ç’rast themeluan komisionin ad hoc për pranimin dhe shqyrtimin e dokumentacionit të kandidatëve;

• Anëtarët shqyrtuan kërkesën e një gjyqtari, për lejimin e mbajtjes se një rasti të shqyrtimit gjyqësor përmes platformës virtuale, me ç’rast vendosën që pas marrjes së mendimit edhe nga prokuroria të nxjerrin vendimin përkatës;

• KGJK miratoi shpalljen e konkursit të brendshëm për Administrator të Gjykatës Themelore në Pejë dhe Gjykatës Themelore në Gjilan, me ç’rast u themeluan komisionet për rekrutimin e administratorëve dhe komisionet për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve;

• Anëtarët miratuan ndryshimin e Planit të punës së gjyqtarëve dhe administratës së Gjykatës së Apelit për vitin 2023, me numër GJA.nr.425/2023 si dhe ndryshimin e Planit të punës së gjyqtarëve dhe administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë për vitin 2023, me numër GJA.nr.735/2023;

• Këshilli aprovoi kërkesën e një eksperti financiar, për pezullim të angazhimit si ekspert gjyqësor, nga data 21 shtator 2023 e deri në njoftimin e radhës;

• Anëtarët miratuan njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në SKGJK për pensionimin e një gjyqtare në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega Graçanicë;

• KGJK miratoi vazhdimin e mandatit të anëtarëve të komisioneve të përhershme të KGJK-së, si dhe

• Këshilli emëroi në pozitën e gjyqtarëve porot në Gjykatën Themelore në Prishtinë: Naim Shala, Xhelal Bajrami dhe Sadik Osmani, me mandat pesë vjeçar, me të drejtë ri-emërimi.