Lansohet tableti elektronik për marrjen e shërbimeve në gjykata nga personat e shurdhër

Lansohet tableti elektronik për marrjen e shërbimeve në gjykata nga personat e shurdhër

Prishtinë, 20 shtator 2023 – Me qëllim të avancimit të qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e vendit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) me mbështetjen e Projektit të USAID për Drejtësi ka lansuar për herë të parë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tabletë elektronik për marrjen e shërbimeve në gjykata nga personat e shurdhër. Ky shërbim tashmë ofrohet në të gjitha gjykatat themelore në vend dhe së shpejti pritet të funksionalizohet edhe në degët e gjykatave.

Përmes këtyre pajisjeve krijohet lidhja e personit të shurdhër i cili kërkon shërbime në gjykatë me Qendrën e Interpretëve të Shoqatës së të Shurdhërve, të cilët do të shërbejnë për interpretim dhe do të informojnë stafin e gjykatës në lidhje me shërbimin që kërkohet nga ta. Qendra e Interpretëve do të ofrojnë shërbim 24/7 për këta persona, me qëllim që të marrin informacionin dhe shërbimin e duhur nga gjykata.

Gjatë lansimit të këtij tableti elektronik, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, falënderoi Projektin e  Drejtësisë dhe misionin e USAID, për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi se zhvillimi i këtyre aktiviteteve ka rëndësi të veçantë për sistemin gjyqësor, sepse personat e shurdhër duhet të trajtohen me dinjitet dhe të jenë pjesë e barabartë dhe aktive e shoqërisë tonë.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, theksoi se ky hap shënon një progres të madh drejt përmirësimit të shërbimeve të sistemit gjyqësor ndaj persona të shurdhër.

Drejtori i Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Noel Bauer, ndër të tjera tha se lansimi i këtij tableti elektronik është vazhdim i bashkëpunimit të mirë të USAID me institucionet e sistemit gjyqësor, prandaj USAID do të vazhdojë të mbështesë gjyqësorin e Kosovës duke përmbushur nevojat e tij.

Po ashtu, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës Kosovare të Shurdhërve, Enver Kurtalani, falënderoi USAID dhe KGJK-në, si dhe shtoi se do të vazhdojnë të përmirësojnë kushtet e këtij komuniteti, duke i’u ofruar të drejta themelore. Përmes aktiviteteve të tilla, gjyqësori shënon një progres në përmirësimin e qasjes në drejtësi njëherit është shembull i suksesit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe angazhimit të KGJK-së, për të siguruar drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e saj.