Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryesuesi i KGJK-së, kanë pritur në takim Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë

Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryesuesi i KGJK-së, kanë pritur në takim Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë

Prishtinë, 19 shtator 2023 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, kanë pritur në takim Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi.

Gjatë takimit lidhur me bashkëpunimin ndër-institucional në mes të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, u diskutua rreth shkëmbimit të përvojave në mes të sistemeve gjyqësore të të dyja vendeve, veçanërisht lidhur me praktikat gjyqësore për çështje të ndryshme duke përfshirë edhe ato lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, u diskutua edhe mbi angazhimin, nga ana e EUKOJUST,  të Kryetarit Sadushi për të dhënë kontribut pranë Grupit Punues për Hartimin e Projektligjit për Gjykatën Administrative.

Kryetari Rexhepi dhe Kryesuesi Zogaj, falënderuan kryetarin Sadushi për vizitën si dhe premtuan bashkëpunim dhe koordinim të ndërsjellët në kuadër të fushave përkatëse të përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

Kryesuesi Zogaj, theksoi se Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet i përkushtuar të kontribuojë drejt reformimit të drejtësisë administrative, e cila do të ndikojë në rritjen e efikasitetit dhe do të mundësojë qasje më të lehtë në drejtësinë administrative për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Zogaj ka falënderuar ekspertët dhe Programin EUKOJUST, i cili po e mbështetë këtë nismë të institucioneve të drejtësisë.