KGJK vazhdon bashkëpunimin me Zyrën e Këshillit të Evropës dhe Zyrën e Bashkimit Evropian për përmirësimin e funksionimit të gjykatave

KGJK vazhdon bashkëpunimin me Zyrën e Këshillit të Evropës dhe Zyrën e Bashkimit Evropian për përmirësimin e funksionimit të gjykatave

Prishtinë, 15 shtator 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, së bashku me përfaqësues nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, Zyra e Bashkimit Evropian dhe Projekti për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovës (KoSEJ III), ka mbajtur sot takim virtual me ekspertin e KoSEJ III, Jacques Buhler, njëherit Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Supreme Federale të Zvicrës dhe Menaxherin e Projektit KoSEJ III nga Sekretariati i KoSEJ në Strasburg, Emmanuel Baron.

Qëllimi i takimit ishte prezantimi i Metodologjisë për interpretimin e statistikave gjyqësore, me qëllim të përkrahjes së KGJK-së në marrjen e vendimeve për masat e mundshme që do të ndërmerren për përmirësimin e funksionimit të gjykatave të vendit.

Kryesuesi Zogaj theksoi se KGJK do të pranojë të gjitha standardet e Këshillit të Evropës, konkretisht të KoSEJ si dhe konfirmoi se metodologjia e prezantuar sot do të jetë një indikator dhe mjet pune për të matur performacën dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor, si dhe për të përcaktuar resurset në gjyqësor. Po ashtu, Zogaj shtoi se një indikator i tillë do t’i kontribuojë KGJK-së që të shoh në mënyrë objektive zhvillimet dhe performancën e secilës gjykatë, me qëllim që sistemi gjyqësor të bëhet i krahasueshëm me vendet e zhvilluara, respektivisht shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.

Mes tjerash, Zogaj në emër të KGJK-së, falënderon partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit gjyqësor të Kosovës, përmes ekspertëve të projekteve, që ndikojnë në përmirësimin e performancës, efikasitetit dhe llogaridhënies.