Kryesuesi Zogaj, ju adresua Akademisë së Juristëve të Rinj

Kryesuesi Zogaj, ju adresua Akademisë së Juristëve të Rinj

Prizren, 11 shtator 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ju adresua sot Akademisë së Juristëve të Rinj, një organizim i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë dhe implementuar nga Lëvizja FOL, nga data 11 deri më 15 shtator.

Kryesuesi Zogaj, gjatë fjalimit të tij, ka ndarë me të pranishmit pikëpamjen e tij lidhur me vizionin, mundësitë dhe sfidat në sistemin e drejtësisë si dhe mbi etikën ligjore, me qëllim të orientimit profesional dhe këshillimit të profesionistëve të rinj, në fushën juridike.

Kryesuesi në veçanti, theksoi nevojën për profesionalizëm dhe integritet në sistemin gjyqësor dhe për hapat që janë bërë nga KJGK dhe sistemi i drejtësisë në garantimin e këtyre koncepteve me rëndësi. Ai po ashtu, bëri një diskutim me praktikuesit e rinj të sistemit të drejtësisë në Kosovë, mbi rëndësinë dhe nevojën për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe elementet për garantimin e kësaj pavarësie.

Në anën tjetër, Drejtoresha e Zyrës për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL) në Kosovë, Tamra Greig, ju drejtua pjesmarrëve me inkurajimin që ata t’i bashkangjiten aktiviteteve të përgjithshme për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Ajo theksoi se, pjesmarrja e përfaqësuesëve të gjyqësorit në këtë Akademi, thekson rëndësinë që organizatorët i japin kësaj Akademie, e cila është një reflektim i interesimit dhe fokusit të KGJK-së në drejtim të përmirësimit të sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë.

Po ashtu, gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Bashkim Hyseni, ka diskutuar me të pranishmit lidhur me shkrimin dhe arsyetimin ligjor sipas metodës IRAC dhe aplikimin e kësaj metode në punën e një praktikuesi të ligjit në Kosovë.

Gjatë ditëve në vijim, folës në këtë Akademi do të jenë gjyqtarët nga Gjykata Supreme,  Afrim Shala, Rrustem Thaqi, gjyqtari i Departamentin Special në kuadër të Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi si dhe Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore Prishtinë, Valon Kurtaj, të cilët do të ndajnë përvojat dhe njohuritë praktike me juristët e rinj lidhur me të drejtën e procedurës civile dhe të drejtën penale materiale, të drejtën penale procedurale dhe rolin e gjykatave dhe institucioneve tjera në garantimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë.