Nënshkruhet Memorandum i Bashkëpunimit për procesin e digjitalizimit të Gjykatës Komerciale

Nënshkruhet Memorandum i Bashkëpunimit për procesin e digjitalizimit të Gjykatës Komerciale

Prishtinë, 7 korrik 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Zbatuesi i Programit për Drejtësi Komerciale të financuar nga USAID, kanë nënshkruar sot Memorandum Bashkëpunimi i cili ka për qëllim mbështetjen e procesit të digjitalizimit të Gjykatës Komerciale në Kosovë.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka falënderuar përfaqësuesit e USAID për përkrahjen e vazhdueshme ndaj sistemit gjyqësor si dhe theksoi se mbështetja drejt digjitalizimit të Gjykatës Komerciale është shumë e dobishme për sistemin gjyqësor. Zogaj shtoi se Këshilli Gjyqësor mbetet i përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga ky memorandum, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit, besueshmërisë dhe llogaridhënies së Gjykatës Komerciale.

Drejtori i Programit të USAID-it “Drejtësia Komerciale”, Chris Thompson, tha se nënshkrimi i këtij memorandumi dëshmon bashkëpunimin e deritanishëm në mes të Programit të Drejtësisë Komerciale dhe sistemit gjyqësor, si dhe shtoi se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje edhe në planifikimet e ardhshme.
Memorandumi i Bashkëpunimit synon të adresojë mbështetjen e Programit për Drejtësi Komerciale në procesin e digjitalizimit të Gjykatës Komerciale, duke përfshirë: lehtësimin e zbatimit të gjetjeve të Vlerësimit të Digjitalizimit të Gjykatës Komerciale, mbështetjen në regjistrimin e lëndëve në sistemin SMIL, lehtësimin e qasjes së Gjykatës në raporte komplekse menaxheriale, rritjen e sigurisë së shënimeve dhe komunikimeve digjitale si dhe përkrahjen e KGJK-së në digjitalizimin e proceseve në Gjykatën Komerciale përmes masave të ndryshme.