KGJK, pjesë e punëtorisë lidhur me hartimin e Projektligjit për Gjykatën Administrative

KGJK, pjesë e punëtorisë lidhur me hartimin e Projektligjit për Gjykatën Administrative

Prishtinë, 27 qershor 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, së bashku me gjyqtarë nga Departamenti për Çështje Administrative, morën pjesë në punëtorinë lidhur me hartimin e Projektligjit për Gjykatën Administrative, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Programin e Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST.

Gjatë kësaj punëtorie, grupi punues ka diskutuar rreth draftit të parë të Projektligjit për Gjykatën Administrative si dhe rreth komenteve të pranuara gjatë fazës së konsultimit publik. 

Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm hartimin e draftit të parë të dokumentit, kryesuesi Zogaj theksoi se Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbetet i përkushtuar të kontribuojë drejt reformës në sistemin e drejtësisë, më konkretisht reformimit të drejtësisë administrative. Ai shtoi se themelimi i Gjykatës së re Administrative do të ndikojë në rritjen e efikasitetit dhe do të mundësojë qasje më të lehtë në drejtësinë administrative për qytetarët e Republikës së Kosovës.