Prezantohet Draft Raporti i vlerësimit të nevojave trajnuese për Gjykatën Komerciale

Prezantohet Draft Raporti i vlerësimit të nevojave trajnuese për Gjykatën Komerciale

Prishtinë, 23 qershor 2023 – Kryetari i Komisionit për Trajnime të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), prof. Vilard Bytyqi, mori pjesë në takimin e përbashkët me gjyqtarët dhe bashkëpunëtorët profesional të Gjykatës Komerciale, lidhur me prezantimin e Draft Raportit të vlerësimit të nevojave trajnuese për Gjykatën Komerciale, të organizuar nga Akademia e Drejtësisë dhe Projekti i USAID, “Drejtësia Komerciale”.

Ky raport, përshkruan procesin e vlerësimit të nevojave për trajnime në përputhje me zhvillimet moderne të trajnimeve gjyqësore, me qëllim të rritjes së efikasitetit të Gjykatës Komerciale, si dhe paraqet praktikat më të mira në fushën e trajnimit gjyqësor.

Prof. Bytyqi, falënderoi ekspertët e angazhuar në hartimin e këtij raporti, me ç’rast theksoi se ky dokument do të ndihmojë në rishikimin e nevojave për mbajtjen e trajnimeve të gjyqtarëve, bashkëpunëtorëve profesional dhe stafit administrativ në Gjykatën Komerciale, si dhe ngritjen e kapaciteteve në këtë gjykatë.