Anëtarë të KGJK-së, pjesë e mbledhjes plenare të CEPEJ-it në Strasburg

Anëtarë të KGJK-së, pjesë e mbledhjes plenare të CEPEJ-it në Strasburg

Strasburg, 15 dhe 16 qershor 2023 – Zëvendës kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Qerim Ademaj dhe anëtari i KGJK-së gjyqtari Fidan Hoxha, po marrin pjesë në mbledhjen plenare të organizuar nga Komisioni Evropian për Efikasitet të drejtësisë (CEPEJ).

Takimin e kësaj mbledhje e ka hapur z.Cristophe  Poirel, Drejtor nga Drejtoria e të Drejtave të Njeriut.

Gjatë takimit, CEPEJ ka prezantuar punën e vazhdueshme të Grupeve të Punës për Vlerësimin e sistemeve gjyqësore, Cilësisë së Drejtësisë, Menaxhimit të Kohës Gjyqësore dhe E-Drejtësisë. Në veçanti, Presidenti i CEPEJ ka prezantuar, metodologjinë e re për reduktimin e lëndëve të vjetra të zhvilluar nga CEPEJ. Këto mjete u krijuan për të ndihmuar vendet të zvogëlojnë numrin e lëndëve të pazgjidhura, një çështje shumë e dëmshme për të drejtën për një gjykim, të drejtë brenda një kohe të arsyeshme të parashikuar në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Seanca plenare ishte gjithashtu, një mundësi për të diskutuar mbi projektet e bashkëpunimit të CEPEJ.

Zëvendës kryesuesi i KGJK-së, Ademaj duke shprehur kënaqësinë e tij për prezencën në këtë takim tha: “Në emër të KGJK-së, dëshirojmë të falënderojmë CEPEJ-in për mbështetjen e dhënë. KGJK-ja është duke përfituar nga projekti KOSEJ III që nga fillimi i vitit dhe në muajt e fundit janë zbatuar disa aktivitete, veçanërisht në lidhje me performancën e gjyqtarëve dhe reduktimin e lëndëve të vjetra. Mbesim me shpresë se do  vazhdojmë këtë bashkëpunim të frytshëm edhe në të ardhmen”, tha mes tjerash ai.

Gjithashtu, në fund të këtij takimi është diskutuar edhe për përgatitjen e programit të aktivitetit të CEPEJ-it, mbi temat dhe mjetet e mundshme që do të zhvillohen për periudhën 2024-2025.

Në lidhje me “Mjetin e zvogëlimit të lëndëve” CEPEJ shihni këtu: 

https://www.coe.int/en/web/cepej/-/the-%C2%ABbacklog-reduction-tool%C2%BB-the-cepej-s-new-roadmap-to-national-judicial-systems-for-identification-and-addressing-structural-delays-in-court-proceedings