Mblidhet grupi punues për Vlerësimin e Statusit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe për Vlerësimin e Sistemit të Zhvillimit Profesional të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Mblidhet grupi punues për Vlerësimin e Statusit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe për Vlerësimin e Sistemit të Zhvillimit Profesional të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Prishtinë, 30 maj 2023 – Është mbajtur sot takimi i parë i grupit punues për Vlerësimin e Statusit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe për Vlerësimin e Sistemit të Zhvillimit Profesional të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në kuadër të Reformës në Drejtësi, në të cilin takim përveç anëtarëve të grupit punues, morën pjesë edhe përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Ministria e Drejtësisë (MD) si dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Në këtë takim, u diskutuan aktivitetet e grupit punues, duke përfshirë: faza e mbledhjes së raporteve dhe analizimin e tyre, struktura dhe metodologjia e raportit gjithëpërfshirës të vlerësimit, koordinimi i mbështetjes nga partnerët zhvillimorë, afatet në Planin e Punës si dhe mbështetja përmes ekspertëve.

Kryesuesi i grupit punues Vilard Bytyqi, tha se grupi punues do të adresojë këto çështje në mënyrën më të mirë të mundshme. Po ashtu, Bytyqi bëri thirrje për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim që grupi punues të jap kontribut në përmbylljen e suksesshme të planit të miratuar.

Anëtarët e grupit punues, shprehën gatishmërinë e plotë për angazhim të vazhdueshëm gjatë këtij procesi me mbështetjen e partnerëve zhvillimorë, në kuadër të përmirësimit të efikasitetit, transparencës dhe disiplinës në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Ky grup punues do të takohet përsëri pas pranimit të raporteve të vlerësimit nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë, për të avancuar më tutje këtë proces të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë.