Diskutohet përmirësimi i performancës së gjykatave përmes mjeteve të teknologjisë

Diskutohet përmirësimi i performancës së gjykatave përmes mjeteve të teknologjisë

Prishtinë 28.04.2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani – Rama dhe zëvendës koordinatorja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Marta Gazideda, kanë mbajtur takim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me ç’rast është prezantuar Platforma për hulumtim ligjor të integruar: Lexdoks.com

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi për përmirësimin e performancës së gjykatave përmes mjeteve të teknologjisë, me theks të veçantë përmirësimi i performancës së bashkëpunëtorëve profesional në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kryesuesi Zogaj, theksoi rëndësinë e Platformës Lexdoks si dhe vlerësoi punën e bashkëpunëtorëve profesional që kanë në secilën gjykatë dhe nevojën që efikasiteti i ndihmës ndaj gjyqtarëve të rritet edhe më tutje. Po ashtu, Zogaj tha se mbështetja nga UNDP për qasjen e 500 përdoruesve (gjyqtarë dhe bashkëpunëtorë profesional) në platformën Lexdoks, do të kontribuoj në rritjen e efikasitetit të punës së gjykatave.

Kryetarja Shabani-Rama, falënderoi KGJK-në dhe UNDP-në për këtë mbështetje dhe theksoi rëndësinë e platformës dhe ndihmën nga bashkëpunëtorët profesional në tërë ciklin e dhënies së drejtësisë.

Gjithashtu, zëvendës koordinatorja e Programit të UNDP-së, Gazideda vlerësoi përpjekjet dhe zhvillimet e bëra në sistemin e drejtësisë dhe zotimin për mbështetje shtesë nga fushat ku UNDP operon. Mjetet e teknologjisë informative, si platforma Lexdoks janë një mënyrë e jashtëzakonshme e përmirësimit të efikasitetit të punës së përbashkët të institucioneve vendore, për të konkretizuar sa më mirë mbështetjen e donatorëve zhvillimorë.

Në fund të takimit, përfaqësues të platformës Lexdoks, kanë bërë një prezantim të funksionaliteteve kryesore dhe mënyrës së përdorimit të saj.