Kryesuesi Zogaj ka vizituar Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Degën në Skenderaj dhe Degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Gllogoc

Kryesuesi Zogaj ka vizituar Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Degën në Skenderaj dhe Degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Gllogoc

Prishtinë, 25.04.2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, me bashkëpunëtorë sot ka vizituar Gjykatën Themelore në Mitrovicë, degën në Skenderaj dhe degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Gllogoc.

Gjatë takimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Zogaj ka diskutuar për mbarëvajtjen e punës, rezultatet dhe sfidat me të cilat është duke u përballur kjo gjykatë. Gjithashtu, është diskutuar për përgatitjet që duhet bërë për fillimin e zbatimit të projektit për renovimin e objektit të Gjykatës Themelore në pjesën jugore të Mitrovicës e që pritet të filloj në fillim të muajit maj 2023.

Kryesuesi Zogaj, vizitoi degën në Skenderaj dhe njëkohësisht kërkoj angazhim nga gjyqtarët dhe stafi për realizimin e detyrave në bazë të përgjegjësive, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të punës së gjykatave.

Gjithashtu, gjatë takimit në Gllogoc diskutuan rreth çështjeve të mbarëvajtjes së punës së kësaj dege, me theks të veçantë kryerja e lëndëve të vjetra, lëndëve në rigjykim, etj, si dhe inspektuan punimet që janë duke u zhvilluar për ndërtimin e objektit të ri të degës në Gllogoc.

Projekti për ndërtimin e kësaj dege ka filluar të ndërtohet në dhjetor të vitit 2022 dhe pritet të përfundoj në vitin e ardhshëm. Punimet janë duke u zhvilluar në përputhje me planin dinamik dhe kushtet e kontratës.