Fillon trajnimi fillestar për gjyqtarët e rinj

Fillon trajnimi fillestar për gjyqtarët e rinj

Prishtinë, 24 prill 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, i shoqëruar nga Kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj dhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani – Rama, morën pjesë në ceremoninë e fillimit të trajnimit fillestar për gjeneratën e dhjetë të gjyqtarëve, të organizuar nga Akademia e Drejtësisë.

Drejtori i Akademisë, Enver Fejzullahu si nikoqir i kësaj ceremonie, fillimisht i uroi gjyqtarët për emërimin e tyre dhe rrugëtimin në detyrën e re si dhe i njoftoi lidhur me rolin dhe rëndësinë që ka trajnimi fillestar.

Kryesuesi Zogaj, duke i’u uruar fillim të mbarë gjyqtarëve të rinj, theksoi rolin e rëndësishëm që gjyqtarët kanë mbi vete si dhe sfidat që i presin ata në punën e tyre. Po ashtu, Zogaj kërkoi përkushtim dhe angazhim maksimal drejt përmbushjes së synimeve të përbashkëta për një gjyqësor të pavarur, llogaridhënës, efikas dhe transparent.

Trajnimin fillestar në këtë gjeneratë (2023/2024) do ta ndjekin 29 gjyqtarë të sapo emëruar në gjashtë (6) gjykata themelore të Republikës së Kosovës.