Mbahet takimi i 308-të i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Mbahet takimi i 308-të i Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Prishtinë, 20.04.2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 308-të me radhë, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Para anëtarëve të Këshillit, u raportua lidhur me ecurinë e veprimtarisë së punës së gjykatave për tremujorin e I-rë (janar – mars) për vitin 2023. Në këto raporte ishin të përfshira të dhënat për numrin e përgjithshëm të lëndëve, siç janë numri i lëndëve të pranuara, të kryera dhe atyre që janë duke u trajtuar nga gjykatat. 

Raportin për tremujorin e I-rë (janar – mars) për vitin 2023, e kanë paraqitur: 

  • Kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024;
  • U.D. Kryetarja e Gjykatës Supreme të Kosovës;
  • Gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme;
  • Kryetari i Gjykatës së Apelit;
  • Kryetari i Gjykatës Komerciale;
  • Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë; 
  • Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan;
  • Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren;
  • Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë; 
  • Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë;
  • Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj;
  • Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe
  • Udhëheqësi i Departamentit Special në kuadër të Gjykatës së Apelit.

Pas raportimit lidhur me punën e gjykatave për këtë periudhë, të gjitha raportet e punës u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj i falënderoi të gjithë kryetarët e gjykatave për raportimet lidhur me punën e tyre si dhe u bëri thirrje për angazhim dhe përpjekje për rritje të efikasitetit në punën e gjykatave, duke zbatuar planet strategjike të KGJK-së.

Në vijim të takimit:

  • Këshilli aprovoi njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore të SKGJK-së për pensionimin e një (1) gjyqtari në Gjykatën Supreme;
  • Këshilli emëroi gjyqtaren Kadrije Goga-Lubishtani, anëtare rezervë të Panelit për Lirim me Kusht, nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, me mandat dy (2) vjeçar;
  • KGJK miratoi ndryshimin e Planit të Punës së Gjykatës Themelore Prizren për vitin 2023, me numër GJ.A.1/23-31, të datës 3 prill 2023 dhe ndryshimin e Planit të Punës së Gjykatës Themelore Prishtinë për vitin 2023, me numër GJ.A.nr.329/2023, të datës 5 prill 2023;
  • Këshilli miratoi ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të KGJK-së nr. 294/2022, të datës 23 qershor 2022, mbi caktimin e Arsim Bajraktari, zyrtar përgjegjës në Gjykatën e Apelit, për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesave të personave fizik dhe juridik në qasje të dokumenteve publike, dhe
  • Anëtarët e KGJK-së, autorizuan Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së për shpalljen e 53 pozitave të lira për zyrtar ligjor.

Me pika të mbyllura, Këshilli diskutoi për zbatimin e Vendimit nr.A02/245/2016 të datës 18.04.2023 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Gjithashtu, Këshilli në pajtim me Rregulloren e Këshillit Gjyqësor nr. 04/2022, caktoi z. Sylejman Qorolli ushtrues të detyrës së Administratorit të Gjykatës Themelore në Gjilan.