Mbahet punëtori e përbashkët në mes të KGJK-së dhe Gjykatës Komerciale

Mbahet punëtori e përbashkët në mes të KGJK-së dhe Gjykatës Komerciale

Istog, 18-19 prill 2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në bashkëpunim me Gjykatën Komerciale dhe projektin e USAID ‘Drejtësia Komerciale’, ka organizuar punëtori lidhur me diskutimin e sfidave dhe mekanizmave për funksionalizimin e Gjykatës Komerciale.

Në këtë punëtori po merr pjesë Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, anëtarë të KGJK-së, kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, gjyqtarë të kësaj gjykate, përfaqësues të Sekretariatit të KGJK-së si dhe përfaqësues të projektit ‘Drejtësia Komerciale’.

Punëtoria ka në fokus të diskutimit shqyrtimin e çështjeve të Gjykatës Komerciale, si: sfidat rreth funksionalizimit e Gjykatës Komerciale; ngritja e kapaciteteve të stafit mbështetës; implementimi i Planit strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 efikasiteti dhe prioritizimi i lëndëve brenda sistemit gjyqësor; koordinimi i çështjeve për logjistikë, arkiva, ndërmjetësim dhe statistika; programet e trajnimeve si dhe digjitalizimi i gjykatave.

Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj, në emër të KGJK-së, shprehi gatishmërinë drejt çdo iniciative që ka për qëllim rritjen e efikasitetit në Gjykatën Komerciale, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor.