Mbahet takimi i përbashkët në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës

Mbahet takimi i përbashkët në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës

Istog, 30.03.2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në bashkëpunim me programin e Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST, kanë organizuar takim të përbashkët, lidhur me reformat ligjore në sistemin e drejtësisë nga perspektiva e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial.

Në këtë takim morën pjesë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët e prokurorive si dhe përfaqësues nga partnerë ndërkombëtar. 

Qëllimi i këtij takimi, ishte diskutimi rreth reformave ligjore në sistemin e drejtësisë, në veçanti performanca, disiplina, verifikimi, transparenca, Instrumenti për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni i Komisioni Evropian (TAIEX), trajnimet, administrata dhe çështje të tjera.

Përfaqësuesit e KGJK-së dhe KPK-së diskutuan rreth koordinimit dhe zbatimit të aktiviteteve të përbashkëta sipas planit të veprimit nga Strategjia për Sundimin e Ligjit, për gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës. Mes tjerash, u diskutua rreth cilësisë së të dhënave dhe shkëmbimit të tyre përmes Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).

Të dy këshillat, u koordinuan për çështjen e mbajtjes së seancave, lëndët e shënjestruara, cilësinë e aktakuzave/kthimi në plotësim dhe pasurinë e konfiskuar. Në fund të këtij takimi, pjesëmarrësit diskutuan rreth politikës ndëshkimore si dhe buxhetit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

KGJK dhe KPK u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit për fuqizimin dhe avancimin e zbatimit të ligjit në kuadër të kompetencave të tyre përkatëse, me qëllim të forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.