Mbahet punëtori e përbashkët në mes të KGJK-së dhe gjykatave

Mbahet punëtori e përbashkët në mes të KGJK-së dhe gjykatave

Istog, 29.03.2023 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në bashkëpunim me programin e Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST, ka organizuar punëtori lidhur me diskutimin e gjendjes së gjykatave të vendit.

Në këtë punëtori po merr pjesë Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, anëtarë të KGJK-së, kryetarë të gjykatave, gjyqtarë mbikëqyrës, administratorë të gjykatave, përfaqësues të Sekretariatit të KGJK-së si dhe përfaqësues të programit EUKOJUST.

Kryesuesi Zogaj, prezantoi lidhur me gjendjen e degëve të gjykatave themelore të Republikës së Kosovës, me ç’rast theksoi rëndësinë e koordinimit të aktiviteteve në mes të gjykatave themelore dhe degëve si dhe shprehi gatishmërinë e KGJK-së për mbështetjen e degëve të gjykatave, me qëllim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor.

Gjatë kësaj punëtorie, gjyqtari i Gjykatës Supreme, njëherit kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025 dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, Afrim Shala, raportoi lidhur me zbatimin e këtyre planeve strategjike.

Punëtoria ka në fokus të diskutimit shqyrtimin e çështjeve të gjykatave, si: monitorimi i respektimit afateve për ekzekutimin në kohë të vendimeve gjyqësore të formës së prerë; respektimi i afateve lidhur me dërgimin e lëndëve në gjykatën e shkallës së dytë dhe tretë; shpërndarja e stafit dhe vlerësimi vjetor i punës së stafit menaxhues, profesional dhe stafit administrativ; përfshirja e të dhënave në sistemin e evidencës penale dhe shpërndarja e lëndëve dhe bartja në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL).

Po ashtu, gjatë punëtorisë do të diskutohet rreth koordinimit të KGJK-së me gjykata, për: Planin e veprimit për administratorët dhe planin e punës së gjykatave; regjistrimin në “E-pasuria” dhe inventarizimin e pasurisë; arkivat; pagesat për ekspertiza mjeko ligjore dhe psikiatrisë forenzike si dhe pagesa të tjera; kthimin e depozitave; referent të ekzekutimeve, tërheqjen obligative të fletëpagesave; mbikëqyrjen e sigurisë në objektet e gjykatave, rritjen e sigurisë së gjyqtarëve dhe stafit si dhe përdorimi i veturave zyrtare.

Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj, në emër të KGJK- së, shprehu gatishmërinë drejt çdo iniciative që ka për qëllim rritjen e efikasitetit në gjykata, si dhe bëri thirrje për angazhim më të madh në përmirësimin e imazhit të gjykatave si dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës.