Kryesuesi Zogaj priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Rrjetit Evropian për Trajnimin Gjyqësor

Kryesuesi Zogaj priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Rrjetit Evropian për Trajnimin Gjyqësor

Prishtinë, 29.03.2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, së bashku me Kryetaren e Komisionit për Çështje Normative, Drita Rexhaj dhe anëtarin e KGJK-së, Fidan Hoxha, priti në takim Sekretaren e Përgjithshme të Rrjetit Evropian për Trajnimin Gjyqësor (EJTN), znj. Ingrid Derveaux, Udhëheqësin e projektit të Ballkanit Perëndimor II, z. Giovanni Pasqua dhe menaxheren e këtij projekti, znj. Vanja Tekic.

Në fokus të këtij takimi ishte mbështetja e Bashkimit Evropian përmes projektit të Ballkanit Perëndimor II të implementuar nga EJTN për trajnimet vazhduese për gjyqtarët e Republikës së Kosovës, përmes Rrjetit Evropian për Trajnimin Gjyqësor, i cili synon të mbështesë dhe të financojë pjesëmarrjen e gjyqtarëve nga Akademia e Drejtësisë së Kosovës në aktivitetet e EJTN-së, duke përfshirë seminare dhe programe shkëmbimi.

Kryesuesi Zogaj, e informoi znj. Derveaux për aktivitetet lidhur me trajnimet e gjyqtarëve dhe sfidat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me ç’rast vlerësoi mbështetjen e BE-së për sistemin gjyqësor të Kosovës.

Zogaj theksoi se pjesëmarrja e gjyqtarëve në aktivitete të tilla është shumë e dobishme jo vetëm në aspektin e shkëmbimit të përvojave, por edhe për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet përfaqësuesve të vendeve të ndryshme.

Kryesuesi Zogaj dhe Sekretarja e Përgjithshme Derveaux shprehën gatishmërinë e tyre për të rritur dialogun ndërmjet KGJK-së dhe EJTN-së me qëllim të rritjes së kapaciteteve profesionale në sistemin gjyqësor.