KGJK pjesë e konferencës së fazës së re të projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit: nevojat dhe rrugët përpara“

KGJK pjesë e konferencës së fazës së re të projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit: nevojat dhe rrugët përpara“

Prishtinë, 29.03.2023 – Kryetarja e Komisionit për Çështje Normative të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Drita Rexhaj dhe Koordinatori për dhunë në familje dhe lirinë e shprehjes, Dardan Kadolli, morën pjesë në konferencën e lansimit të fazës së re të projektit të Zyrës së Këshillit të Evropës, “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit: nevojat dhe rrugët përpara“, i cili ka për qëllim mbështetjen e institucioneve vendore përgjegjëse për trajtimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në hartimin e ligjeve dhe politikave, krijimin e mekanizmave, ngritjen e kapaciteteve të profesionistëve ligjorë dhe të tjerë, si dhe ndërgjegjësimin në përputhje me standardet e Konventës së Stambollit dhe standardet e tjera evropiane.

Anëtarja e KGJK-së, Drita Rexhaj, tha se lansimi i fazës së re të këtij projekti tregon përkushtimin e Këshillit të Evropës dhe Zyrës së KE në Prishtinë në veçanti, për fuqizimin e mëtutjeshëm të institucioneve vendore në trajtimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

 “Mbetemi të hapur dhe proaktiv për forcimin e bashkëpunimit me akterë tjerë relevantë për t’i adresuar sfidat dhe rekomandimet që dalin nga partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë. Po ashtu, KGJK është e përkushtuar për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si parakusht për një shoqëri të shëndoshë”, tha mes tjerash Rexhaj.