Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës në lidhje me pilot projektin për thirrjet elektronike

Nënshkruhet Memorandum i Mirëkuptimit në mes të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës në lidhje me pilot projektin për thirrjet elektronike

Prishtinë, 28.03.2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të KGJK-së dhe Komunës së Prishtinës, për fillimin e pilot projektit “Thirrjet elektronike të dërguara përmes postës elektronike nga Gjykata tek Komuna e Prishtinës”, me mbështetje të Projektit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovë (KoSEJ III).

Fillimisht, Kryesuesi Zogaj, shprehu falënderime për Zyrën e Këshillit të Evropës dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për mbështetjen dhe kontributin për nisjen e këtij pilot projekti, i cili është shumë i dobishëm për sistemin gjyqësor. Zogaj shtoi se me këtë projekt është bërë progres lidhur me dixhitalizimin e punës në gjykata, prandaj Këshilli Gjyqësor mbetet i përkushtuar të përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga ky memorandum, me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës në gjykatat e vendit.

Kryetari Rama tha se nënshkrimi i këtij memorandumi shënon një hap përpara drejt themelimit të bashkëpunimit në mes të kryeqytetit dhe sistemit gjyqësor dhe shoti se ky memorandum ndikon në ekonomizimin e shpenzimeve, përshpejtimin e procedurave dhe thjeshtimin e tyre.

Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës, Frank Power, e vlerësoi këtë memorandum si indikator për bashkëpunimin e mirë në mes të institucioneve dhe tha se do të vazhdojë të ofrojë ekspertizë përmes Projektit KoSEJ dhe ekspertëve të Teknologjisë Informative.

Udhëheqësi i ekipit të Sundimit të Ligjit, Nicola Scaramuzzo, theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejmë të sistemit SMIL nëpër gjykata, i cili synon digjitalizimin e punës, rritjen e transparencës dhe forcimin e sundimit të ligjit, bazuar në standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

Ky pilot projekt, do të fillojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku thirrjet do të gjenerohen automatikisht nga Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) dhe do t’i dërgohen Zyrës Ligjore të Komunës së Prishtinës me postë elektronike, duke mos përdorur formatin e rregullt të letrës.

Kryesuesi Zogaj dhe kryetari Rama, kanë diskutuar edhe çështje të tjera të bashkëpunimit që ndërlidhen me objektivat e përbashkëta të KGJK-së dhe Komunës së Prishtinës.