Organizohet punëtori me temën: “Shqyrtimi i funksionalizimit të E-filing”

Organizohet punëtori me temën: “Shqyrtimi i funksionalizimit të E-filing”

Prishtinë, 17 mars 2023 – Organizuar nga Projekti i USAID për Drejtësi në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), është mbajtur sot punëtoria me temën: “Shqyrtimi i funksionalizimit të E-filing”.

Fokusi i këtij takimi ishte implementimi i sistemit E-filing dhe funksionet kryesore.

Në këtë takim të pranishëm ishin, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, përfaqësues të Projektit USAID për Drejtësi, si dhe përfaqësues të Projektit EUKOJUST, Projektit KOSEJ III etj.

Në kuadër të ofrimit të mbështetjes administrative për zbatimin sa më efektiv dhe efikas të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, theksoi rëndësinë e aplikimit të teknologjisë së sistemin gjyqësor, duke trajtuar sfidat dhe mundësinë e përmirësimit të shërbimeve gjyqësore përmes aplikimit të TIK, si dhe automatizimin e procesit të punës në gjykata.

Në vazhdim të takimit, shefi i zyrës së TI në SKGjK-ë, Fatmir Rexhepi, prezantoi në përgjithësi sistemet e TIK, të cilat janë duke u implementuar nga KGJK, duke përfshirë sistemin SMIL, rëndësinë që kanë këto sisteme në digjitalizimin e punës në gjykata, si dhe rezultatet e arritura me rastin e aplikimit tyre.

Po ashtu, në vijim të takimit, Blerta Berveniku prezantoi në pika të përgjithshme funksionin E-filing, mënyrën se si do të aplikohet dhe mundësinë e përdorimit të këtij funksioni, duke theksuar se përmes këtij funksioni qytetarët do të mund të parashtrojnë paditë e tyre në gjykatë, tërësisht në mënyrë elektronike, funksion ky, i cili do të lehtësoj edhe më tej shërbimet gjyqësore ndaj qytetarëve.

Në fund të takimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë lidhur me implementimin e sistemeve të TIK, në sistemin gjyqësor dhe përmirësimin e tyre, me qëllim të rritjes së transparencës dhe efikasitetit të punës në gjykata, si dhe ofrimit të shërbimeve gjyqësore për qytetarët e vendit.