Kryesuesi Zogaj priti në takim përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë të ShBA-së

Kryesuesi Zogaj priti në takim përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë të ShBA-së

Prishtinë, 16.mars 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, ka pritur në takim përfaqësues nga zyra e OPDAT në Kosovë dhe zëvendës shefin e Akademisë Trajnuese për Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, z.John P.Moran. I pranishëm në takim, ishte edhe Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, z.Enver Fejzullahu.

Në fokus të takimit ishte zhvillimi i reformave në përmirësimin e programeve trajnuese në Akademinë e Drejtësisë dhe zhvillimin e partneritetit, mes KGJK dhe Akademisë në implementimin e këtyre reformave.

Fillimisht, Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka falënderuar z.Moran,  duke shprehur mirënjohje për kontributin e veçantë të SHBA-së, që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin, për funksionimin e mirëfilltë të sistemit gjyqësor, dhe me fokus të veçantë në këtë rast edhe në ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme të Akademisë, duke theksuar se kjo mbështetje është shumë e rëndësishme për gjyqësorin në Kosovë.

Nga ana tjetër, z.Moran,  diskutoi për planet konkrete të angazhimit të tij përgjatë periudhës 6 mujore në Akademinë e Drejtësisë në ngritjen e standardeve trajnuese dhe shkathtësive të trajnerëve për një program sa më kualitativ trajnues. Z.Moran shtoi rëndësinë e angazhimit të KGJK në matjen e ndikimit të trajnimeve në punën praktike të gjyqtarëve si mënyrë më efikase në ngritjen e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë.

Kryesuesi Zogaj dhe Drejtori i Akademisë Fejzullahu shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, në funksion të fuqizimit të llogaridhënies dhe reformave në Akademinë e Drejtësisë.