Mbahet mbledhja e parë e Këshillit Drejtues të KoSEJ III

Mbahet mbledhja e parë e Këshillit Drejtues të KoSEJ III

Prishtinë, 15 mars 2023 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj së bashku me anëtaren e KGJK-së, Drita Rexhaj dhe gjyqtarin e Gjykatës Supreme, njëherit kryetarin e Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025 dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, Afrim Shala, morën pjesë në mbledhjen e parë të Këshillit Drejtues të Projektit për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovës (KoSEJ III).

Gjatë këtij takimi, u diskutua rreth fazës së re të projektit, vazhdimësisë së aktiviteteve nga KOSEJ II, aktiviteteve të planifikuara në kuadër të objektivave të përbashkëta me sistemin e drejtësisë si dhe menaxhimi i projektit.

Kryesuesi Zogaj, ka falënderuar përfaqësuesit e Zyrës së Këshillit të Evropës dhe Zyrës së Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme, si dhe shprehu gatishmërinë e KGJK-së për vazhdimin e bashkëpunimit, që përmes prioriteteve të përbashkëta të arrihet ngritja e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës në sistemin gjyqësor.