Përfaqësues të sistemit gjyqësor, po qëndrojnë për vizitë studimore në Gjermani

Përfaqësues të sistemit gjyqësor, po qëndrojnë për vizitë studimore në Gjermani

Trier dhe Koblenz, 19 – 24 shkurt 2023 – U.d. Kryetarja e Gjykatës Supreme, Mejreme Memaj, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, Udhëheqësi i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, Vaton Durguti, Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu dhe gjyqtarë të gjykatave të vendit, po qëndrojnë për vizitë studimore në Trier dhe Koblenz të Gjermanisë.

Qëllimi i kësaj vizite është mundësimi i vëzhgimit praktik të metodave të punës në gjykatat gjermane, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe fuqizimi i kontakteve ndërmjet institucioneve të dy vendeve.

Në kuadër të kësaj vizite, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë e njohjes me rregullimin e sistemit gjyqësor në Gjermani dhe veçanërisht për drejtësinë penale, civile, familjare, çështjet etike, çështjet tregtare si dhe për mundësinë e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve në Gjermani.

Në ditët në vijim, gjyqtarët do të kenë mundësinë të vizitojnë Gjykatën e shkallës së parë në Trier dhe Gjykatën e Apelit në qytetin Koblenz të Gjermanisë e gjithashtu për të parë së afërmi organizimin dhe funksionimin e tyre dhe pjesëmarrje të një seance gjyqësore si dhe Akademinë e së drejtës evropiane.

Vizita studimore në Gjermani është mundësuar nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), për gjyqtarët e gjeneratës së VIII, të cilët kanë përfunduar trajnimin fillestarë në Akademinë e Drejtësisë gjatë vitit 2021-2022.