Po mbahet dita e tretë e ‘Ditëve të Gjyqësorit’

Po mbahet dita e tretë e ‘Ditëve të Gjyqësorit’

Prishtinë, 28.12.2022 – Takimi i tretë në kuadër të aktiviteteve të “Ditëve të Gjyqësorit”, po mbahet me anëtarët e KGJK-së, kryetarët, gjyqtarët dhe bashkëpunëtorët profesional të gjykatave të Republikës së Kosovës. Edhe ky aktivitet mbështetet nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë.

Diskutimet gjatë këtij aktiviteti, përqendrohen në të arriturat, performancën dhe sfidat e gjykatave gjatë vitit 2022, etikën gjyqësore, cilësinë e vendimmarrjes dhe qëllimet strategjike për vitin 2023.

Kryesuesi i KGJK-së, z. Albert Zogaj, tha se qëllimi i këtij takimi është shpalosja e të arriturave të sistemit gjyqësor, diskutimi rreth potencialit që ka gjyqësori dhe sfidave me të cilat përballet sistemi gjyqësor.

Kryesuesi Zogaj, gjatë fjalës së tij shpalosi të arriturat kryesore, sfidat me të cilat është përballur gjyqësori gjatë vitit 2022 dhe shpjegoi objektivat e gjyqësorit për vitin 2023, ku theksoi se KGJK në bashkëpunim me kryetarët e gjykatave, gjyqtarët dhe punonjësit mbështetës do të përqendrohen për monitorimin e zbatimit të planeve strategjike dhe akteve të miratuara, të cilat ndikojnë në zhvillimin dhe avancimin e gjyqësorit.

“Kapacitetet e gjyqësorit duhet të fokusohen në ngritjen e nivelit të performancës me qëllim të përballimit të sfidave dhe bashkërisht duhet të tregojmë se sistemi gjyqësor është i pavarur, llogaridhënës, efikas, me integritet të lartë si dhe i përmbush standardet evropine për trajtimin e çështjeve serioze”, tha mes tjerash Zogaj. 

U.D. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, theksoi se një sistemi gjyqësor të fuqishëm dhe profesional i duhet të ketë edhe një sistem të fuqishëm prokurorial, prandaj siguroi pjesëmarrësit se së bashku do të punojnë për forcimin e sundimit të ligjit dhe do të luftojnë kriminalitetin në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, gjyqtari i Gjykatës Supreme, z. Shukri Sylejmani, tha se gjatë vitit 2022, Gjykata Supreme ka bërë punë të mirë dhe ka lënë gjurmë me nxjerrjen e dokumenteve të rëndësishme të cilat kanë lehtësuar funksionimin e sistemit gjyqësor. 

Drejtori Ekzekutiv i Akademisë së Drejtësisë, z. Enver Fejzullahu theksoi se Akademia përmes trajnimeve të vazhdueshme ka ndihmuar sistemin gjyqësor për ngritjen profesionale dhe u zotua se gjyqësori do të ketë përkrahje edhe në të ardhmën.

Shefi i Zyrës për Drejtësi dhe Ligj në Misionin e OSBE-së në Kosovë, z. Mark Lasser, tha se Misioni i OSBE-së në Kosovë është i lumtur të ketë mundësinë që të mbështesë sistemin gjyqësor, në veçanti pavarësinë e tij si dhe shtoi se OSBE do të vazhdojë të mbështesë KGJK-në dhe gjyqtarët edhe gjatë vitit 2023.

Lidhur me performancën dhe sfidat e gjykatave, diskutuan: Kryetari i Gjykatës së Apelit, z. Valon Totaj, Kryetari i Gjykatës Komerciale, z. Mahir Tutuli dhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Albina Shabani Rama.

Gjatë pjesës së parë të këtij takimi, u prezantua edhe lidhur me performancën e gjykatave për vitin 2022 nga Drejtori i Statistikave në SKGJK, z. Besnik Ramosaj dhe Zyrtarja për Integrime Evropiane, znj. Blerta Ahmeti si dhe u prezantua lidhur me kualitetin e të dhënave në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve dhe ndërlidhjen me Sistemin Qendror për Evidencën Penale nga Shefi i Zyrës së TI-së në SKGJK, z. Fatmir Rexhepi.