Ditët e Gjyqësorit – Mbahet takimi koordinues i KGJK-së me donatorë

Ditët e Gjyqësorit – Mbahet takimi koordinues i KGJK-së me donatorë

Prishtinë, 19.12.2022 – Në kuadër të ditës së dytë të “Ditëve të Gjyqësorit”, u mbajt takimi koordinues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) me donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë të sistemit gjyqësor, me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë.

Gjatë këtij aktiviteti, morën pjesë përfaqësues nga gjyqësori i Kosovës, Ambasada e SHBA-së, Zyra e Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës, USAID, OSBE, EULEX, UNDP dhe përfaqësues të projekteve. 

Me këtë rast, është diskutuar rreth projekteve të cilat kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin gjyqësorin e Kosovës si dhe propozimet ideore të KGJK-së të cilat kanë për qëllim fuqizimin e gjyqësorit dhe përmirësimin e shërbimeve në gjykata. 

Propozimet për projektet e reja përfshijnë: Sistemin Qendror për përkthime, Asistencën teknike për KGJK-në, Monitorimin e nivelit të kënaqshmërisë së publikut për gjyqësorin, 

Arkivën për noterët e pensionuar si dhe Sistemin elektronik i menaxhimit të burimeve njerëzore për administratën gjyqësore.

Kryesuesi i KGJK-së, z. Albert Zogaj falënderoi të gjithë partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme me ç’rast tha se KGJK po tenton që konceptin e Ditëve të Gjyqësorit dhe konceptin e takimit koordinues me donatorë, t’i bëjë traditë në sistemin gjyqësor. Zogaj shtoi se rruga e reformës së gjyqësorit do të jetë sfiduese, prandaj është e domosdoshme ndihma dhe kontributi i partnerëve në misionin e përbashkët me gjyqësorin. 

“Jam shumë i kënaqur për organizimin e këtij takimi, për të diskutuar rreth projekteve të cilat janë implementuar gjatë vitit 2022 si dhe rreth projekteve që mund të planifikohen dhe mund t’i zhvillojmë së bashku në vitin 2023. Gjatë këtij viti, kanë ndodhur zhvillime të rëndësishme në projektet e përbashkëta drejt rritjes së efikasitetit të gjyqësorit, prandaj theksoi se thelbësore për sistemin gjyqësor mbeten efikasiteti dhe besueshmëria”, tha Kryesuesi Zogaj. 

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Albina Shabani-Rama tha se prania e përfaqësuesve të donatorëve dhe partnerëve është një tregues i qartë i vullnetit për vazhdimin e bashkëpunimit me sistemin gjyqësor.

“Si sistem gjyqësor, kemi nevojë të përmirësojmë qasjen në drejtësi dhe të rrisim besimin e publikut në gjyqësor, prandaj besoj se së bashku do të koordinohemi dhe do të bashkëpunojmë edhe gjatë vitit 2023”, shtoi mes tjerash znj. Shabani-Rama.

Ndërkaq, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, z. Shkelzen Maliqi, tha se KGJK është shumë falënderues për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e mirë nga partnerët, pa ndihmën e të cilëve sistemi gjyqësor nuk do të ishte avancuar. 

“Sukseset dhe arritjet e deritanishme të partnerëve, janë bazë e mirë dhe një arsye e madhe që të vazhdojmë më tutje këtë bashkëpunim për të konkretizuar projektet të cilat mendojmë ti realizojmë”, theksoi z.Maliqi.

Nga ana tjetër, donatorët dhe partnerët e sistemit gjyqësor premtuan angazhim në realizimin e aktiviteteve të planifikuara në mbështetje të sistemit gjyqësor të Kosovës.