Ditët e Gjyqësorit – KGJK organizon takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias 

Ditët e Gjyqësorit – KGJK organizon takim me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias 

Prishtinë, 19.12.2022 – Në kuadër të ditës së dytë të “Ditëve të Gjyqësorit”, u mbajt takimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) me përfaqësues nga disa nga organizatat civile që përcjellin punën e gjyqësorit dhe medias, si: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Rrjeti i OJQ-ve AVONET, Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi (INJECT), Qendra për Trajnime dhe Burime Avokuese (ATRC), T7,  ATV dhe RTV Dukagjini. 

Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi rreth vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta me shoqërinë civile dhe mediat, si dhe forcimi i bashkëpunimit me KGJK-në dhe gjykatat, me qëllim të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin gjyqësor.

Zëdhënësja e KGJK-së, znj. Aishe Qorraj-Berisha, tha se transparenca dhe llogaridhënia janë prioritet në rrugën e tejkalimit të çdo sfide për KGJK-në.

“Më inkurajon fakti që raportet relevante, sistem gjyqësor – media – shoqëri civile, theksojnë se transparenca ka përparuar, gjë që shihet dhe është për tu vlerësuar, duke filluar nga transmetimi i drejtpërdrejt i takimeve të KGJK-së, monitorimi i proceseve rekrutuese pranë KGJK dhe SKGJK, regjistrimi elektronik i dosjeve gjyqësore, publikimi i aktgjykimeve nga ana e gjykatave e deri tek përgjigjet e pyetjeve në kohë reale”, tha znj. Qorraj-Berisha.

Kryesuesi i KGJK-së z. Albert Zogaj, ka falënderuar përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medias për punën e tyre dhe theksoi se KGJK mbetet e hapur për bashkëpunim drejt avancimit dhe rritjes së llogaridhënies.

“KGJK e konsideron të rëndësishme punën e shoqërisë civile dhe medias për të marrë informacione të drejta, në kohë dhe të paanshme, sidomos në kohën kur ballafaqohemi me situata të cilat e dëmtojnë demokracinë në vend e në veçanti proceset në sistemin gjyqësor. Ne do të punojmë së bashku dhe të mbështetesim punën tuaj për të kaluar çdo sfidë dhe mediat do të kenë qasje pa pengesa në zhvillimin e aktiviteteve të sistemit gjyqësor, me qëllim që të mund t’i informoni në mënyrë cilësore qytetarët e vendit tonë”, theksoi mes tjerash ai.  

Po ashtu, Kryesuesi Zogaj, njoftoi të pranishmit se sot është bërë funksionale ueb faqja zyrtare e Gjykatës Komerciale, në kuadër të portalit gjyqësor të Kosovës, e cila ka për synim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së gjykatës para qytetarëve.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, znj. Albina Shabani-Rama, tha se ne si gjykatë jemi të përkushtuar në maksimum që të përgatisim informatat dhe të dhënat e sakta dhe në kohë për nevoja të shoqërisë civile dhe medias, prandaj dua të theksoi se gjykata mbetet e hapur duke konsideruar se mediat dhe sistemi gjyqësor duhet të mbështesin vazhdimisht njëri tjetrin”, tha mes tjerash Kryetarja Shabani-Rama.

Ndërsa, Juristja e së drejtës së medias, znj. Flutura Kusari diskutoi për lirinë e medias, transparencën dhe administrimin e mirë të drejtësisë në përgjithësi në vend.

“Ndihem e motivuar nga qasja e hapur e KGJK-së me ç’rast përgëzoi gjyqësorin për avancimin në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies të gjykatave të vendit”, tha znj. Kusari.

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku tha se Sistemi gjyqësor në Kosovës është më transparent dhe më i hapur duke pasur parasysh publikimin në mënyre pro aktive të vendimeve dhe dokumenteve për të cilat ka interes publiku, prandaj konsideroj se gjyqësori duhet të mirret shembull në këtë aspekt”, shtoi znj. Sogojeva-Dërmaku.

Duke e cilësuar si të rëndësishëm këtë takim, përfaqësuesit nga organizatat e shoqërisë civile dhe media kanë shprehur gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin me KGJK-në dhe gjykatat, me qëllim të realizimit të objektivave të përbashkëta drejt avancimit të gjyqësorit.