Filluan ‘Ditët e Gjyqësorit’ në Kosovë

Filluan ‘Ditët e Gjyqësorit’ në Kosovë

Prishtinë, 15.12.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misioni në Kosovë, organizojnë aktivitete me gjykatat të titulluar ‘’Ditët e Gjyqësorit”, që do të mbahen gjatë tri (3) ditëve, përkatësisht me 15, 19 dhe 28 dhjetor 2022.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është vlerësimi i gjithmbarshëm i gjendjes aktuale të sistemit gjyqësor, përfshirë të arriturat, përmbushjen e planeve të punës, sfidat me të cilat përballet sistemi dhe objektivat strategjike për avancimin e funksionimit të sistemit gjyqësor në vitet e ardhme.

Takimi i parë në kuadër të këtyre aktiviteteve, u mbajt sot me strukturën menaxheriale të sistemit gjyqësor, përfshirë anëtarët e KGJK-së, kryetarët dhe gjyqtarët mbikëqyrës të gjykatave, udhëheqësit e Sekretariatit dhe Njësisë për Inspektim Gjyqësor,  administratorët, ndihmës administratorët e gjykatave si dhe zyrtarët për informim të gjykatave.

Gjatë këtij aktiviteti, mes tjerash është diskutuar për reformat e ndërmarra nga Këshilli gjatë vitit 2022 përmes miratimit të, akteve nënligjore, me ç’rast është konstatuar se KGJK ka arritur me sukses të përmbush objektivat strategjike që përmes legjislacionit sekondar të përmirësoj procesin e rekrutimit të gjyqtarëve dhe punonjësve profesional, themelimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe vlerësimit të performancës që janë garantues për avancimin e efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Gjatë fjalës së tij, Kryesuesi i KGJK-së z. Albert Zogaj, shpalosi të arriturat e sistemit gjyqësor, duke theksuar progresin në renditjen e Kosovës në indeksin e sundimit të ligjit në nivel global i realizuar nga Programi për Drejtësi Botërore. Ndër të tjera, ai tha se reformat që janë bërë në sistemin gjyqësor kanë të bëjnë me rritjen e transparencës dhe besimit të publikut, ku qytetarët e Republikës së Kosovës kanë mundësi të monitorojnë punën e gjykatave. Kryesuesi Zogaj, theksoi se ndër qëllimet e rëndësishme të gjyqësorit mbetet digjitalizimi i shërbimeve të sistemit gjyqësor, ku përmendi të arriturat në Sistemin për Menaxhimin Elektronik të Lëndëve (SMIL), Sistemin Qendror të Evidencës Penale (SQEP), mekanizmin e përcjelljes së statusit të lëndës dhe Projektin e audio-video incizimit të seancave gjyqësore. Gjatë vitit 2023, do të përqendrohemi në bashkëpunim me kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët për monitorimin e zbatimit të planeve strategjike dhe akteve te miratuara, të cilat ndikojnë zhvillimin dhe avancimin e gjyqësorit.

Me këtë rast, falënderoi të gjithë partnerët zhvillimor, përfshirë Ambasadën e SHBA-vë, Ambasadën Britanike, Ambasadën Norvegjeze, Zyrën e Bashkimit Evropian, Këshillin e Evropës, USAID, INL, OSBE, EULEX, UNDP, EUKOJUST dhe partnerë të tjerë, pa ndihmën dhe kontributin e të cilëve do të ishte i pamundur zhvillimi dhe avancimi i sistemit gjyqësor. 

“Duke çmuar lartë kontributin e secilit në sistemin gjyqësor, kërkoi më shumë angazhim dhe përgjegjësi për vitin 2023 si dhe në zhvillimet dhe mundësitë drejt rrugës sonë të përbashkët duke theksuar se konceptet kryesore për sistemin gjyqësor mbesin pavarësia dhe llogaridhënia”, tha mes tjerash Zogaj.

Gjithashtu, në emër të KGJK-së falënderoi OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sistemit gjyqësor drejt rrugës së progresit, në veçanti Ambasadorin Davenport i cili mbetet një nga mbështetësit e iniciativave të gjyqësorit. Po ashtu, falënderoi Asamblenë e Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës si dhe anëtarët e KGJK-së për mbështetjen e tyre gjatë proceseve sfiduese me të cilat është përballur sistemi gjyqësor gjatë këtij viti.

Duke i konsideruar të rëndësishme ‘Ditët e Gjyqësorit’, Kryetari i Gjykatës Supreme z. Enver Peci, tha se si drejtues i Gjykatës Supreme për këto pesë vite, bashkë me kolegët gjyqtarë, me stafin mbështetës, ka arritur të bëjnë një punë të mirë, të cilën e ka mundësuar edhe mos-ngarkesa e madhe me lëndë, duke qenë instanca e fundit gjyqësore.

“Duke i falënderuar të gjithë për iniciativat dhe punën e tyre deri në këtë kohë, dua të përshëndes punën dhe vitet e bashkëpunimit me të gjithë ju duke besuar se sistemi gjyqësor është në duar të mira”, theksoi Kryetari Peci i cili do të ushtrojë funksionin e tij të ri si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ndërsa, Ambasadori i OSBE-së në Kosovë z. Michael Davenport, tha se Misioni i OSBE-së do të vazhdojë mbështetjen e sistemit gjyqësor për të qenë sa më profesional dhe i pavarur në punën e tij.

Lidhur me administrimin e sistemit gjyqësor, diskutuan: Kryetarja e Komisionit për Çështje Normative, znj. Drita Rexhaj, Kryetarja e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së gjyqtarëve, znj. Teuta Ibrahimi, Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, z. Fahret Vellija, Kryetari i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel z. Avni Mehmeti si dhe Kryetari i Komisionit për Trajnime, z. Vilard Bytyqi.

Po ashtu, Udhëheqësi i Sekretariatit Ndërkombëtar nga Administrata e Gjykatave Norvegjeze, z. Iwar Arnstad, vlerësoi lartë bashkëpunimin në mes të Administratës Norvegjeze dhe KGJK-së, rreth zbatimit të Projektit SMIL në gjykatat e Kosovës.  Z. Arnstad shtoi se gjatë vizitës së tij në Kosovë, është njoftuar nga afër lidhur me zbatimin e Projektit SMIL dhe ndikimin e projektit në gjyqësorin e Kosovës.

Tutje, u prezantua lidhur me përmbushjen e Planit të Punës për vitin 2022 nga Drejtori i Departamentit Ligjor në SKGJK, z. Astrit Hoti, rreth burimeve njerëzore në sistemin gjyqësor nga Ud. Drejtori i Departamentit të administratës së përgjithshme në SKGJK, z. Bislim Gashi si dhe rreth performancës së gjykatave për vitin 2022 nga Drejtori i Statistikave në SKGJK, z. Besnik Ramosaj.

Në fund të këtij aktiviteti, Kryetari i Komisionit për monitorim, vlerësim dhe raportim të Planit Strategjik, z. Afrim Shala dhe gjyqtari mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Mitrovicë, Dega në Vushtrri, z. Agron Maxhuni, prezantuan lidhur me Strategjinë për Përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022 – 2025 dhe Strategjinë për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 2022 – 2024.