Mbahet takimi i 300-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 300-të i KGJK-së

Prishtinë, 14.12.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 300-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Në këtë takim, mori pjesë edhe Udhëheqësi i Sekretariatit Ndërkombëtar nga Administrata e Gjykatave Norvegjeze, z. Iwar Arnstad, si pjesë e vizitës së tij me qëllim të rritjes së bashkëpunimit në mes të Administratës Norvegjeze dhe KGJK-së, rreth zbatimit të Projektit SMIL në gjykatat e Kosovës.  

Anëtarët e Këshillit miratuan raportin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve për vitin 2022.

Këshilli mori vendim për përzgjedhjen me short të 1/3 e gjyqtarëve me mandat të përhershëm të cilët nuk e kanë të vlerësuar performancën, t’i nënshtrohen vlerësimit të performancës në vitin 2023, për vitet 2020, 2021, 2022, të radhitur sipas gjykatave në programin Excel, përmes komandës “random”.

Gjatë takimit, u miratua shtojca 5 e Rregullores Nr. 03/2022 për Procedurën e Certifikimit, Emërimit, Kushtet, të Drejtat, Detyrimet dhe Shpërblimin e Ekspertëve Gjyqësor, në lidhje me listën e shërbimeve të Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.

Anëtarët propozuan gjyqtarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, Zenel Leku, kryetar të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Mes tjerash, u miratua formulari për raportimin e lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar që dalin nga Plani Strategjik për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve të Korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024.

Me qëllim të konsolidimit të plotë të Sistemit Qendror të Evidencës Penale, Këshilli miratoi kërkesën e Departamentit të Evidencës Qendrore Penale për vazhdimin e kontratave të punës për konsulentë ligjor në gjykata, deri me datë 30 janar 2023.

Këshilli caktoi anëtarët e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës nga radhët e gjyqtarëve mbikëqyrës të gjykatave themelore për vitin 2023.

Anëtarët miratuan orarin e takimeve të KGJK-së për vitin 2023.

Po ashtu, u miratua ndryshimi i Planit vjetor të punës së Gjykatës Themelore Gjakovë për vitin 2022, me numër AGJ.I.nr.278/2022, të datës 5 dhjetor 2022 si dhe ndryshimi i Planit vjetor të punës së Gjykatës Themelore Mitrovicë për vitin 2022, me numër GJA.nr.452/2022, të datës 6 dhjetor 2022.

Këshilli autorizoi Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së, të ndërmerr të gjitha veprimet për sistemimin e z. Hydajet Hyseni, Drejtor i Njësisë për Inspektim Gjyqësor brenda Njësisë, të cilit me datë 17.12.2022 i skadon mandati. Me këtë rast, anëtarët caktuan ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor, z. Dulë Gjocaj deri në emërimin e drejtorit të Njësisë për Inspektim Gjyqësor.

Anëtarët miratuan propozimin për autorizimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit, Shkelzen Maliqi, që të nënshkruajë kërkesat e bashkëpunëtorëve profesional për dorëheqje dhe forma të tjera të pushimeve.

Këshilli miratoi transferimin e një (1) bashkëpunëtore profesionale nga Gjykata Themelore Ferizaj – dega në Kaçanik në Gjykatën Themelore Pejë – dega në Klinë.