Mbahet takim rreth zhvillimit të sistemit për Dosjen Elektronike të gjyqtarëve

Mbahet takim rreth zhvillimit të sistemit për Dosjen Elektronike të gjyqtarëve

Prishtinë, 24.11.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj, së bashku me Kryetaren e Komisionit për Çështje Normative, Drita Rexhaj, Drejtorin e Përgjithshëm të SKGJK-së, Shkelzen Maliqi dhe grupin punues, ishin pjesë e takimit rreth zhvillimit të Dosjes Elektronike për gjyqtarë, në të cilin mori pjesë Udhëheqësi i Projektit EUKOJUST, Volkmar Theobald me përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Programi i Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST) dhe ekipi i kompanisë së përzgjedhur për zhvillimin e këtij sistemi.

Ky sistem, i mbështetur nga EUKOJUST, do t’i mundësoj Këshillit Gjyqësor ngritjen e një sistemi elektronik të menaxhimit më efikas të dosjes së gjyqtarëve në proceset e rekrutimit, vlerësimit të performancës, zhvillimit profesional, avancimit dhe disiplinimit.

Kryesuesi Zogaj ri theksoi se mbetet i përkushtuar në udhëheqjen dhe mbështetjen e të gjitha  iniciativave që i kontribuojnë digjitalizimit të proceseve të punës në gjykatat e vendit si dhe shprehi përkrahjen dhe gatishmërinë e KGJK-së për bashkëpunim, me qëllim të avancimit të teknologjisë informative dhe digjitalizimit në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Me këtë rast, Kryesuesi KGJK falënderon Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë si dhe programin EUKOJUST për mbështetjen në zhvillimin e këtij sistemi dhe nismave tjera në fushën e digjitalizimit të gjyqësorit.