KGJK mbështetë partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve

KGJK mbështetë partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve

Prishtinë, 15 nëntor 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Drejtori i Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, si dhe përfaqësues nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, kanë pritur sot në takim përfaqësuesen nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari së bashku me partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Siguri të Gazetarëve.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth misionit fakt mbledhës ndërkombëtar për vlerësimin e lirisë së mediave dhe mbrojtjes së gazetarëve në Kosovë dhe Shqipëri, i cili do të adresojë sulmet ndaj gazetarëve, rastet e pandëshkueshmërisë, kërcënimet ligjore dhe aspekte të tjera të ndërlidhura me sigurinë e gazetarëve, pavarësinë e mediave dhe të transmetuesëve publik.

Kryesuesi Zogaj, njoftoi të pranishmit se KGJK ka prioritizuar lëndët e gazetarëve me prioritet të lartë me ç’rast theksoi gatishmërinë e KGJK-së për bashkë koordinimin me të gjitha institucionet relevante që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për rritjen e sigurisë së gazetarëve.