Mbahet takimi i 298-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 298-të i KGJK-së

Prishtinë, 11.11.2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka mbajtur takimin e 298-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës. Në këtë takim, morën pjesë Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryetari i Gjykatës së Apelit, kryetarë dhe nënkryetarë të gjykatave si dhe partnerë ndërkombëtarë.

Anëtarët e Këshillit diskutuan rreth organizimit të punës dhe funksionimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, degët e saj dhe Divizionin e Apelit, në rrethanat aktuale, me ç’rast u miratua ndryshimi i planit të punës së Gjykatës së Apelit me numër AGJ.nr.654/2022, të datës 10.11.2022 si dhe ndryshimi i planit të punës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë me numër GJA.nr.425/2022, të datës 09.11.2022.

Këshilli kërkoi nga kryetarët e gjykatave që të ofrojnë mbështetje maksimale për menaxhimin e çështjeve në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. Po ashtu, Këshilli kërkoi nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Policia që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për rritjen e nivelit të sigurisë për punonjësit dhe objektet e gjykatave.

Gjatë takimit, u diskutua zbatimi i Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022-2024 si dhe Planit strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 efikasiteti dhe prioritizimi i lëndëve brenda sistemit gjyqësor.

Mes tjerash, anëtarët e Këshillit diskutuan për dallimin aktual të pagave të disa kategorive të të punësuarve në sistemin gjyqësor.

Anëtarët autorizuan Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të Sekretariatit të KGJK-së, si komision të vetëm i cili do të trajtojë ankesat e administratorëve aktual, deri në miratimin e rregullores së re.

Gjatë takimit, u diskutua lidhur me funksionalizimin e plotë të Sistemit Qendror të Evidencës Penale dhe procesit të lëshimit online të certifikatave të evidencës penale, me ç’rast anëtarët e Këshillit u dakorduan që Zyra Qëndrore për Evidencë Penale së bashku me njësitë e tjera të SKGJK-së, të harmonizojë të gjitha aktet e nevojshme që do të shqyrtohen në takimin e radhës.  

Në bazë të raportit përfundimtar të Komisionit për përzgjedhjen e Bashkëpunëtorëve Profesional, Këshilli miratoi listën përfundimtare të kandidatëve, me ç’rast Kryesuesi Zogaj u bëri thirrje kryetarëve të gjykatave, që të zbatojnë vendimin e Këshillit për shpërndarjen proporcionale të bashkëpunëtorëve profesional në zyrat e gjyqtarëve.