KOMUNIKATË E PËRBASHKËT – Takohen krerët e KGJK-së, KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit

KOMUNIKATË E PËRBASHKËT – Takohen krerët e KGJK-së, KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit

Prishtinë, 09.11.2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku dhe Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kanë mbajtur një takim të përbashkët lidhur me mbarëvajtjen e procesit të punës pas situatës së krijuar në Gjykatën dhe në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Në takimin e sotëm, tre krerët institucionalë shprehën përkushtimin e tyre për të punuar bashkërisht për tejkalimin e gjendjes së krijuar pas largimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve administrativë nga procesi i punës dhe diskutuan për modalitetin e organizimit dhe mbarëvajtjes sa më efikase të punës për qytetarët e kësaj pjese.

Ata u pajtuan që të ndërmarrin sa më shpejtë të gjitha masat e nevojshme për organizmin e procesit të punës në pajtim me aktet ligjore në fuqi, me qëllim që institucionet e drejtësisë të funksionojnë dhe të mos krijohet zbrazësi shërbimesh në rrethanat aktuale.