KGJK ka vazhduar takimin e 297-të, me raportimin e kryetarëve të gjykatave

KGJK ka vazhduar takimin e 297-të, me raportimin e kryetarëve të gjykatave

Prishtinë, 4 nëntor 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar takimin e 297-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar edhe pikat e tjera, sipas rendit të ditës.

Para anëtarëve të Këshillit, raportuan për tremujorin e III-të (korrik – shtator) për vitin 2022, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani–Rama, kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanović, kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, nënkryetarja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mirlinda Bytyçi-Rexhepi dhe kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani.

Kryetarët e gjykatave, raportuan për punën e gjykatave gjatë këtij tre mujori, ku ishin të përfshira të dhënat për numrin e pergjithshëm të lëndëve siç janë numrin e lëndëve të pranuara, të kryera, atyre që janë duke u trajtuar nga gjykatat. Gjatë takimit kryetarët u përgjigjën në pyetjet e anëtarëve të Këshillit lidhur me çështje specifike të gjykatave.

Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj, kërkoi nga kryetarët e gjykatave monitorim të punës së gjyqtarëve, fokus në lëndët e vjetra në gjykata, zbatimin e Planit strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025, efikasiteti dhe prioritizimi i lëndëve brenda sistemit gjyqësor si dhe futjen e të dhënave në sistemin e menaxhimit të lëndëve (SMIL). Ai, gjithashtu ka theksuar se KGJK do të ofrojë mbështetje të vazhdueshme por edhe do të kërkojë llogari nga gjykatat.

Mes tjerash, Kryesuesi Zogaj kërkoi monitorim dhe raport për delegimin e lëndëve në kompetencë në shkallë të dytë dhe të tretë duke theksuar se për çdo vonesë eventuale duhet të paraqitet raport i detajuar. Duke i falënderuar të gjithë kryetarët e gjykatave për punën e tyre, anëtarët e KGJK-së bënë thirrje për angazhim dhe përpjekje edhe më të madhe për një performancë më të mirë të punës në të gjitha gjykatat e vendit.

Pas raportimit lidhur me punën e gjykatave për këtë periudhë, të gjitha raportet e punës u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.