Diskutohet funksionalizimi i plotë i Sistemit Qendror të Evidencës Penale

Diskutohet funksionalizimi i plotë i Sistemit Qendror të Evidencës Penale

Prishtinë, 4 nëntor 2022 – Përmes platformës ‘Zoom’, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, së bashku me përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nicola Scaramuzzo dhe Udhëheqësen e Ekipit të Projektit të Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale (NCCR) nga KLSC, Yolanta Christova, kanë mbajtur sot takim me kryetarë dhe administratorë të gjykatave.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me përgatitjet e fundit të cilat janë duke u bërë në konsolidimin e plotë të Sistemit Qendror të Evidencës Penale, ku me fokus të veçantë u trajtua fillimi i procesit të lëshimit online të certifikatave të evidencës penale.

Lëshimi online i këtyre certifikatave, u vlerësua me rëndësi esenciale për sistemin gjyqësor  në përgjithësi për një qasje më të lehtë në të dhënat penale të palëve, dhe si i tillë parashihet të zbatohet në fund të këtij viti përmes platformës shtetërore E-Kosova.

Kryesuesi Zogaj, shprehu falënderime për Zyrën e BE-së në Kosovë për kontributin e madh drejt funksionalizimit të sistemit, me ç’rast theksoi se KGJK së bashku me gjykatat, do të angazhohet që sistemi të ketë cilësinë e të dhënave dhe do të ofrojë çdo lloj mbështetje për përdorimin e plotë të sistemit. Zogaj, shtoi se është bërë progres lidhur me dixhitalizimin e evidencës penale, por janë edhe disa çështje që duhet diskutuar për eliminimin e problemeve në këtë fushë.

Kryetari Peci, theksoi rëndësinë e koordinimit të aktiviteteve mes Gjykatës Supreme dhe Këshillit Gjyqësor lidhur me procesin e konsolidimit të plotë të  sistemit qendror për evidencë penale.

Drejtori i SKGJK-së, theksoi se duke pasur parasysh rëndësinë e pasqyrimit të saktë të të dhënave në sistem, për çdo dështim eventual për përmbushjen e obligimeve nga stafi i gjykatave do të kërkojë përgjegjësi nga të njëjtit dhe nga Administratorët e gjykatave, që në raste të tilla eventuale, pa hamendje do të ndërmerren masa disiplinore.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe Projektit NCCR, kanë vlerësuar lartë angazhimin e KGJK-së dhe gjykatave në këtë projekt, si dhe bënë thirrje për përdorimin e plotë të tij, me qëllim që sistemi të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm.

Në vijim të këtij takimi, u adresuan obligimet e ardhshme të cilat i presin KGJK-në dhe gjykatat, në drejtim të funksionalizimit të plotë të këtij sistemi, në mënyrë që i njëjti të jetë plotësisht funksional në fund të këtij viti.