Vazhdon takimi i 297-të i KGJK-së

Vazhdon takimi i 297-të i KGJK-së

Prishtinë, 3 nëntor 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka vazhduar mbajtjen e takimit të 297-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar edhe pikat e tjera sipas rendit të ditës.

Anëtarët e KGJK-së, autorizuan Kryesuesin Zogaj, për nënshkrimin e Kontratës për shërbime trepalëshe ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Bashkimit Evropian/Programit për sektorin e drejtësisë në Kosovës – EUKOJUST dhe Dataprognet sh.p.k, kontratë kjo, e cila ka për qëllim ofrimin e shërbimeve për dizajnimin dhe zhvillimin e softuerit për menaxhimin e dosjeve elektronike për gjyqtarë. Me këtë rast, është themeluar grupi punues për koordinim lidhur me zbatimin e kontratës “E-file”.

Gjithashtu, anëtarët e KGJK-së, autorizuan Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGJK-së, për nënshkrimin e marrëveshjes së nivelit të shërbimit në mes të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) dhe KGJK-së, për shërbimet e ofruara nga platforma shtetërore eKosova.

Këshilli në vijim ka miratuar ri shpalljen e konkursit për administratorë të Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore në Prizren, me ç’rast u themeluan komisionet për rekrutimin e administratorëve të Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore Prizren dhe komisionet për rishqyrtim të ankesave të kandidatëve për administratorë të Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore në Prizren.

Po ashtu, është aprovuar ndryshimi i vendimit KGJK.nr.278/2021, të datës 7 tetor 2021, lidhur me përbërjen e anëtarëve të grupit punues.

Në vazhdim të takimit, anëtarët emëruan gjyqtaren Valdete Daka, kryesuese e Panelit për Lirim me Kusht (PLK) dhe gjyqtarin Afrim Shala, anëtar rezervë/zëvendës i kryesueses i PLK-së.

Këshilli u dakordua me propozimin, që Komisioni për Trajnime në koordinim me Akademinë e Drejtësisë, të përcaktojë përmbajtjen e vendimit për trajnimin e gjyqtarëve porotë, si pjesë e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve porotë nga Gjykata Themelore në Gjakovë.