Mbahet takimi i 21-të i Komitetit Drejtues të Projektit NCCR

Mbahet takimi i 21-të i Komitetit Drejtues të Projektit NCCR

Prishtinë, 1 nëntor 2022 – Në takimin e 21-të të Komitetit Drejtues të Projektit të Sistemit Kombëtar Qendror të Evidencës Penale (NCCR), morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, si dhe përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të përfshira në Komitetin Drejtues, përfshirë Zyra e BE-së, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Agjencia për Regjistrim Civil, Policia e Kosovës, Shërbimi Korrektues dhe partner tjerë të Këshillit Gjyqësor.

Gjatë këtij takimi, u diskutua lidhur me raportin tremujor, ku u prezantuan aktivitetet e realizuara dhe rezultatet gjatë periudhës raportuese, 1 korrik 2022 – 30 shtator 2022. Mes tjerash, u diskutuan edhe hapat e radhës dhe planifikimet e projektit lidhur me lansimin online të certifikatës mbi dënimet penale.

Drejtori i Përgjithshëm i SKGJK-së, Shkelzen Maliqi falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë, për kontributin e madh drejt ngritjes së Sistemit Qendror të Evidencës Penale, i cili ka rëndësi esenciale për vendin në përgjithësi.

“Jemi afër përfundimit të projektit dhe drejt finalizimit të obligimeve që i kemi marr ne si Këshill qysh nga fillimi. KGJK i ka jap rëndësi të veçantë funksionalizmit të këtij projekti, prandaj forcimi i sistemit mbetet një nga fokuset tona kryesore”, tha mes tjerash Maliqi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Nicola Scaramuzzo, çmoi angazhimin e stafit të gjyqësorit në këtë projekt si dhe shprehu mbështetjen e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit me qëllim që ky sistem të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm.

Udhëheqësja e Ekipit të Projektit NCCR nga Kosovo Legal Services Company, Yolanta Christova, tha se ky tremujor ka qenë mjaft intensiv dhe janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket trajnimit të stafit për përdorimin e sistemit si dhe lansimit të sistemit online për nxjerrjen e certifikatave për gjendjen penale.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, shprehu falënderime për të gjitha institucionet e përfshira në këtë proces, të cilat e kanë mbështetur dhe kanë qenë pjesë përfshirëse në këtë projekt.

“Këshilli Gjyqësor është i përkushtuar dhe i gatshëm që të ofroj çdo lloj mbështetje për zbatimin me sukses të këtij projekti kaq të rëndësishëm për sistemin gjyqësor dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, prandaj ne do të angazhohemi që bashkërisht me gjykatat që sistemi të ketë cilësinë e të dhënave”, shtoi mes tjerash Zogaj.