KGJK, pjesë e konferencës së Këshillave Gjyqësorë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor

KGJK, pjesë e konferencës së Këshillave Gjyqësorë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor

Shkup, 31 tetor – 1 nëntor 2022 – Me ftesë të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zëvendës Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Qerim Ademaj, mori pjesë në konferencën e Këshillave Gjyqësorë nga rajoni i vendeve të Ballkanit perëndimor, pjesë e së cilës përveç Kosovës ishte edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina.

Temë dhe qëllim i kësaj konference ishte ofrimi i mundësive të zhvillimit dhe avancimit të bashkëpunimit rajonal në mes të këshillave përkatës  lidhur me promovimin e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së gjyqësorit si dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi.

Konferenca dy (2) ditore është organizuar dhe është mbështetur nga Projekti Matra ‘“Rritja e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së Këshillit Gjyqësor në Maqedoninë e Veriut”.

Me këtë rast,  KGJK ka shprehur qëndrim të qartë se mbetet e përkushtuar për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me këshillat gjyqësorë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, në drejtim të përmbushjes se përgjegjësive të saj  për një sistem gjyqësor të pavarur, efikas, llogaridhënës dhe tërësisht transparent.

Në fund të konferencës nga Këshillat pjesëmarrës është nënshkruar një deklaratë e  përbashkët:  “Themelimi i Rrjetit të Bashkëpunimit Rajonal për Këshillat Gjyqësorë në Ballkanin Perëndimor”.