Mbahet mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Mbahet mbledhja e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Prishtinë, 14 Tetor 2022 – Është mbajtur sot takimi i Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës nën udhëheqjen e Kryesuesit Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme.

Kryesuesi i Asamblesë, Enver Peci, nisi takimin me diskutimin rreth përmirësimit të bashkëpunimit në mes të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të Republikës së Kosovës, rreth sigurimit të informatave dhe dokumenteve të nevojshme për trajtimin e kërkesave para Gjykatës Kushtetuese, ndërmarrjes së veprimeve nga gjykatat për zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe informimin në këtë kontekst si dhe mundësinë.

Si pikë tjetër, u diskutua çështja e dështimit të seancave gjyqësore për arsye të ndryshme (trajnime, ndryshim kolegjesh, etj.) si dhe nevoja e mbajtjes së seancave pa shkëputje, me ç’rast u aprovua rekomandimi i Asamblesë që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) të formojë një mekanizëm që të bëjë përcjelljen e trajnimeve por edhe për çështje të tjera si, të ri shikohet Rregullorja për Trajnimin e Gjyqtarëve dhe KGJK të ndërmerr masa rreth çështjeve të mos prezencës së gjyqtarëve në zyre.

Gjatë këtij takimi, u aprovua rekomandimi i Asamblesë lidhur me implementimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, rreth efikasitetit dhe prioritizimit të lëndëve brenda sistemit gjyqësor, me ç’rast u aprovua rekomandimi i Asamblesë që KGJK të formojë një komision me përbërje nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të niveleve më të larta.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se me qëllim që ky plan të jetë i zbatueshëm, komisioni në fjalë do të raportojë  lidhur me implementimin e Planit Strategjik, si dhe do të paraqesë edhe punën e gjyqtarëve në përgjithësi.

Në Asamble, u diskutua për Draft Planin Strategjik të KGJK-së për periudhën 2023-2025, si dhe Planin e Punës së KGJK-së për vitin 2023, me ç’rast Kryesuesi Zogaj tha se KGJK në bashkëpunim me projektin e USAID – Aktiviteti për Drejtësi, po vazhdon punën në përpunimin e draft Planit Strategjik prandaj kontributi i kryetarëve të gjykatave në plotësimin e Planit Strategjik është i mirëseardhur.

Gjatë takimit, Kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri dhe Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanović, raportuan për periudhën gjashtë (6) mujore në implementimin e planeve të veprimit për Drejtësi Procedurale. Kryetari Tahiri dhe Kryetarja Stevanović informuan të pranishmit lidhur me aktivitetet e implementuara, qëllimin dhe sukseset e këtyre aktiviteteve si dhe aktivitetet që priten të implementohen në muajt e ardhshëm, me ç’rast anëtarët e Asamblesë miratuan planet për dy gjykatat pilot, Gjykatën Themelore në Ferizaj dhe Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Anëtarët e Asamblesë miratuan planin e veprimit për Drejtësi Procedurale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gjykatës Themelore në Pejë, Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës Themelore në Gjilan dhe Gjykatës Themelore në Gjakovë, i cili ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve të gjykatave.

Në vijim të takimit, anëtarët diskutuan lidhur me përmirësimin e infrastrukturës së sigurinë dhe kushteve të punës në Pallatin e Drejtësisë, me ç’rast u aprovua rekomandimi i Asamblesë që KGJK të bëjë vlerësimin e sigurisë në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës si dhe të ndërmerr masat e nevojshme sa i përket çështjeve të hyrjeve të zyrtarëve të gjykatave dhe palëve.

Si pikë tjetër, u diskutua çështja e shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës së Bankave të Kosovës, për shqyrtimin e lëndëve përmbarimore të sektorit bankar të ngecura në administrim, me ç’rast anëtarët e Asamblesë rekomanduan që gjykatat duhet ti trajtojnë kërkesat e palëve sipas radhës.

Po ashtu, anëtarët diskutuan rreth barazimit dhe kualitetit të të dhënave në Sistemin për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) dhe Sistemin Kombëtar Qendror të Evidencës Penale (SKQEP), me qëllim të vënies së plotë në zbatim të këtyre sistemeve si të ndërlidhura. Kryesuesi Zogaj shtoi se duhet të ketë angazhim, bashkëpunim dhe koordinim më të madh në mes të KGJK-së dhe gjykatave me qëllim që të sigurohet se ky proces të përmbyllet me sukses.

Gjatë takimit, u diskutua edhe implementimi i sistemit SMIL, ndërlidhja me sistemin SMIL në mes të gjykatave themelore dhe Gjykatës së Apelit. Anëtarët e Asamblesë miratuan rekomandimin që duhet të vazhdojë përdorimi dhe implementimi i SMIL dhe në të njëjtën kohë të ketë bashkëpunim më të madh në mes të KGJK-së dhe gjykatave, si dhe të bëhet identifikimi i problemeve aktuale në këtë sistem.

Si pikë tjetër, u diskutua çështja e lëndëve arkivore të noterëve, me ç’rast anëtarët e Asamblesë miratuan rekomandimin që KGJK në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Odën e Noterëve të Kosovës, të arrijnë një marrëveshje me qëllim që në të ardhmen mos të ngarkohen arkivat e gjykatave me lëndët e kësaj natyre, për arsye të mungesës së hapësirës nëpër gjykata dhe ngarkesës së stafit.

Anëtarët e Asamblesë diskutuan rreth shkresës së Policisë së Kosovës, lidhur me zbatimin e urdhër arresteve të lëshuara nga gjykatat, me ç’rast anëtarët e Asamblesë, miratuan rekomandimin që kryetarët e gjykatave të bashkëpunojnë dhe të diskutojnë lidhur me këtë çështje, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje.

Në takim, u diskutua rreth propozimit për bashkëpunimin me Policinë e Kosovës për të siguruar nga një (1) zyrtar policor në objektet e degëve të gjykatave gjatë orarit të punës, e cila çështje është në proces e sipër.

Në fund të këtij takimi, anëtarët diskutuan për kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), rreth lirimit të palëve nga taksat gjyqësore, me ç’rast Kryesuesi Peci tha se KGJK, është duke punuar në këtë drejtim për shkak se kjo çështje është kompetencë e KGJK-së.