Kryesuesi Zogaj me anëtarë të KGJK-së dhe udhëheqës të Sekretariatit, në vizitë zyrtare në Oslo

Kryesuesi Zogaj me anëtarë të KGJK-së dhe udhëheqës të Sekretariatit, në vizitë zyrtare në Oslo

Oslo, 10 – 12 Tetor 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Albert Zogaj me anëtarë të KGJK-së, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial z.Jetish Maloku me anëtar të KPK-së, Kryeprokurori i PSRK z. Blerim Isufaj, Zëvendës Ministri i Drejtësisë z. Blerim Sallahu së bashku me bashkëpunëtorë, me mbështetje të Administratës Gjyqësore të Norvegjisë po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Oslo të Norvegjisë.

Vizita tri ditore e realizuar në kuadër të programit të Reformës Gjyqësore për Ballkanin Perëndimor, temë kryesore ka shkëmbimin e praktikave më të mira dhe informimin mbi organizimin dhe financimin e shërbimeve të teknologjisë informative në gjykata, ku si shembull po mirët Sistemi Norvegjez i Menaxhimit të Lëndëve Gjyqësore (LOVISA).

Mes tjerash, po diskutohet përdorimi i Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), si shembull i suksesshëm rajonal si dhe implementimi i fazës tranzitore (fazës së katërt) në gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës, gjatë tri viteve të ardhshme nga KGJK dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Pjesëmarrësit janë takuar me drejtuesit e Administratës Gjyqësore Norvegjeze, të cilët kanë njoftuar të pranishmit rreth digjitalizimit të shërbimeve, hapat që duhen të ndërmerren në nivel strategjik për të operuar dhe për të mbajtur një sistem të qëndrueshëm në gjykata dhe kanë siguruar se do të vazhdojnë mbështetjen për sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Kryesuesi Zogaj, në emër të KGJK-së, ka falënderuar shtetin dhe popullin norvegjez për mbështetjen dhe financimin e projektit SMIL, duke e vlerësuar tejet të rëndësishëm për ngritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe saktësisë së informacioneve të sistemit gjyqësor të Kosovës. Gjithashtu, Kryesuesi theksoi se KGJK mbetet e vendosur për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Administratën Gjyqësore Norvegjeze dhe implementimin e plotë të sistemit SMIL në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës.