Mbahet testi kualifikues për gjyqtarë në gjykatat e Republikës së Kosovës

Mbahet testi kualifikues për gjyqtarë në gjykatat e Republikës së Kosovës

Prishtinë, 25 shtator 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka organizuar testin kualifikues të kandidatëve për gjyqtarë, në kuadër të procesit të rekrutimit të 37 pozitave për gjyqtarë në gjykatat e Republikës së Kosovë, ku morën pjesë 382 kandidatë. Ky proces u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.

Komisioni për Rekrutimin e Gjyqtarëve në ditën e mbajtjes së testit, nën monitorimin e përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka përpiluar testin kualifikues për kandidatët për gjyqtarë të rinj me qëllim të rritjes së transparencës në sistemin gjyqësor.

Mbarëvajtjen e procesit të testit kualifikues e ka mbikëqyrur Kryesuesi i KGJK-së, njëherësh edhe Kryetar i Komisionit për Rekrutimin e Gjyqtarëve, Albert Zogaj, i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të këtij Komisioni.

Kryesuesi Zogaj, duke u uruar suksese kandidatëve që iu nënshtruan këtij testi, vlerësoi rëndësinë që ka ky proces për sistemin gjyqësor. Po ashtu, potencoi se KGJK-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet që procesi i testimit të realizohet në mënyrë profesionale e të bazohet në meritokraci.

Për vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e këtij procesi kontribuan edhe anëtarë të KGJK-së, kryetarë të gjykatave, gjyqtarë mbikëqyrës të degëve, gjyqtarë të gjykatave të vendit, përfaqësues nga Akademia e Drejtësisë, si dhe përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë nga radhët e Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Pas vlerësimit të testit kualifikues për rekrutimin e gjyqtarëve të rinj, do të vazhdohet me fazat tjera sipas Rregullores dhe në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare.
Po ashtu, njoftohen kandidatët se Komisioni i Rekrutimit është duke e vazhduar vlerësimin për testin kualifikues deri në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare.