Publikohet raporti i OSBE-së “Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale në Kosovë”

Publikohet raporti i OSBE-së “Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale në Kosovë”

Prishtinë, 19.09.2022 – Anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), prof. Vilard Bytyqi, ka marr pjesë në ceremoninë e publikimit të Raportit “Trajtimi i rasteve të terrorizmit nga sistemi i drejtësisë penale në Kosovë”, të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Kosovë.

Ky raport, ofron analizë të rasteve të terrorizmit nga viti 2018 deri më 2020, dhe bazohet në të dhënat e Misionit të OSBE-së nga monitorimi i gjykimeve, informacionet nga gjykatat dhe intervistat me partnerët. 

Prof. Bytyqi, ishte pjesë e sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve lidhur me raportin në fjalë me ç’rast ka komentuar lidhur me të gjeturat e raportit.

Prof. Bytyqi, theksoi se KGJK e ka analizuar raportin që u prezantua dhe që po diskutohet, dhe e vlerëson si dokument i cili do të jetë referencë e rëndësishme për përmirësimin dhe avancimin e trajtimit të rasteve të terrorizmit nga ana e sistemit gjyqësor. 

“Administrimi efikas, efektiv dhe i bazuar në standardet dhe praktikat më të mira është synim i vazhdueshëm i sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës për t’i trajtuar të gjitha çështjet gjyqësore që menaxhon sistemi gjyqësor, e veçanërisht çështjet e kategorisë së veprave penale nga fusha e terrorizmit. Përveç pikave të forta që janë evidentuar, e të cilat reflektojnë një progres të konsiderueshëm të sistemit gjyqësor, sfidë për tu përmirësuar mbeten disa aspekte të cilat janë evidentuar edhe në këtë raport”, tha mes tjerash prof. Bytyqi.

KGJK i vlerëson gjetjet dhe rekomandimet e prezantuara në këtë raport si dhe siguron se të njëjtat do t’i përfshijë në një plan të detajuar veprimi në përpjekjet për të fuqizuar sistemin gjyqësor, duke përmirësuar në mënyrë efektive dhe cilësore administrimin e drejtësisë në çështjet gjyqësore ndaj kategorisë së veprave penale të terrorizmit.

Pjesëmarrësit u dakorduan se lansimi dhe gjetjet nga analiza e këtij raporti ndihmojnë institucionet në identifikimin dhe trajtimin adekuat të çështjeve nga kjo fushë.