Vazhdon raportimi i kryetarëve të gjykatave në KGjK

Vazhdon raportimi i kryetarëve të gjykatave në KGjK

Prishtinë, 09 shtator 2022 – Ka vazhduar takimi i 294-të i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Para anëtarëve të Këshillit, raportuan për tremujorin e II-të (prill – qershor) për vitin 2022, zëvendës kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Rilind Sermaxhaj, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren, Shpresa Emra, kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri dhe nën kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi.

Gjatë raportimit të tyre, kryetarët kanë shpalosur përpara anëtarëve të KGjK-së punën e gjykatave gjatë këtij tre mujori, ku vërehet se ka rritje të efikasitetit të punës në këto gjykata pavarësisht sfidave gjatë punës së tyre, si numri i madh i lëndëve, gjendja jo e mirë e arkivave dhe kushtet jo të mira të objekteve të gjykatave, vonesat në përfundimin e objekteve të gjykatave, etj. Gjithashtu, kryetarët njoftuan Këshillin se janë duke bërë përpjekje për ta zbatuar Strategjinë për efikasitetin dhe prioritizimin e lëndëve.

Kryesuesi Zogaj, tha se një nga sfidat kryesore të sistemit gjyqësor mbetet efikasiteti i gjykatave dhe çështjet që lidhen me cilësinë e vendimmarrjes së gjyqtarëve, prandaj Zogaj kërkoi nga kryetarët e gjykatave monitorim të vazhdueshëm për punën e gjyqtarëve.

“Kërkoj nga kryetarët e gjykatave që të ketë angazhim më të madh në drejtim të efikasitetit të gjyqtarëve me qëllim që efikasiteti të jetë në përputhje me normativën e KGjK-së. Gjatë tre mujorit të ardhshëm, vëmendje më e madhe t’i kushtohet çështjeve komplekse. Po ashtu, u bëj thirrje gjyqtarëve të lëmisë civile dhe penale, të departamentit të përgjithshëm, sepse statistikat të cilat i posedon Këshilli, tregojnë një performancë jo të kënaqshme”, tha Kryesuesi Zogaj.

Ndër të tjera, Kryesuesi Zogaj përgëzoi gjyqtarin mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, z.Agron Maxhuni dhe gjyqtarin mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Suharekë, z.Selajdin Gallapeni, për përmirësimin e administrimit të procesit të punës në degë dhe ngritjen e efikasitetit, që vërehet edhe nga raporti i punës.

Zogaj, njoftoi të pranishmit se KGjK brenda këtij viti, pritet të zhvillojë dhe të përfundojë edhe procesin e dytë për rekrutimin e gjyqtarëve në gjykatat e vendit.

Pas raportimit lidhur me punën e gjykatave për këtë periudhë, të gjitha raportet e punës u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.

Anëtarët miratuan pjesërisht kërkesën e gjyqtares së Gjykatës Themelore në Pejë, Nushe Kuka – Mekaj, për lirim nga shqyrtimi i dy (2) lëndëve, me ç’rast Këshilli mori vendim që gjyqtarja të lirohet nga njëra lëndë, ndërsa për lëndën tjetër të vazhdojë punën, me sugjerimin që kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, këtë lëndë ta kalojë në Departamentin Special.

Në fund, Këshilli themeloi Komisionin ad hoc për vlerësimin e performancës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, ish kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi si dhe ish gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Sadri Krasniqi.