Mbahet takimi i 294-të i KGJK-së

Mbahet takimi i 294-të i KGJK-së

Prishtinë, 08 shtator 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 294-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Albert Zogaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Kryesuesi Zogaj, në emër të KGjK-së, sqaroi opinionin publik lidhur me qëndrimin e Këshillit se puna e KGjK-së mund të diktohet vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, përndryshe agjenda e KGjK-së, do të vazhdojë pavarësisht diskutimeve dhe temave që janë përhapur.

Gjatë këtij takimi, para anëtarëve të Këshillit, raportuan për tremujorin e II-të (prill – qershor) për vitit 2022, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, gjyqtari mbikëqyrës i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ilmi Bajrami, kryetari i Gjykatës së Apelit, Valon Totaj, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani Rama, si dhe udhëheqësi i departamentit special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valon Kurtaj.

Gjatë raportimit të tyre, kryetarët shpalosen përpara anëtarëve të KGjK-së punën e gjykatave gjatë këtij tre mujori, ku vërehet se ka rritje të efikasitetit të punës në këto gjykata, në veçanti Gjykata e Apelit, me departamentin civil si më të suksesshëm, me shkallë të efikasitetit 130.7%, ku gjyqtarët e kësaj gjykate janë mbi normën orientuese. Gjithashtu, kryetarët adresuan edhe sfidat gjatë punës së tyre, si numri i vogël i gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve, mungesa e infrastrukturës në gjykata, vonesat në ndërtimin e objekteve të gjykatave, numri i vogël i përkthyesve, etj.

Kryesuesi Zogaj, falënderoi kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave për kontributin dhe angazhimin e tyre, përkundër sfidave me të cilat përballen gjykatat. KGjK mbetet e përkushtuar në rritjen e transparencës së gjykatave dhe mbështetjen e tyre drejt rritjes së besimit të publikut, ku sipas Zogaj, sfidë e sistemit gjyqësor mbetet unifikimi i politikës ndëshkimore dhe prioritizimi i lëndëve.

“Ne si Këshill Gjyqësor, do të mbështesim çdo iniciativë të gjykatave dhe do të forcojmë kapacitetet e nevojshme, me qëllim të rritjes së performancës së gjyqtarëve. Po ashtu, do të ofrojmë përkrahje maksimale për gjykatat drejt zbatimit të plotë të sistemit SMIL, duke theksuar rëndësinë e implementimit të këtij projekti të rëndësishëm të gjyqësorit”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.

“Duke pasur parasysh se kemi trend të rritjes së pranimit të lëndëve në gjykata, duhet të kemi një plan urgjent edhe për degë, departamente dhe divizione, në mënyrë që të reduktohet numri i lëndëve të pazgjidhura dhe të rritet mesatarja e zgjidhjes së lëndëve në gjykata. Kemi hapësirë për angazhim, prandaj besoj se është koha që të gjithë të bëjmë përpjekjet maksimale për të shfrytëzuar kapacitetet në sistemin gjyqësor”, theksoi Zogaj.

Pas raportimit lidhur me punën e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe asaj të Prishtinës për periudhën prill-qershor 2022, të gjitha raportet e punës u aprovuan nga anëtarët e Këshillit.

Në vazhdim të takimit, anëtarët miratuan Rregulloren Nr. 09/2022 për rekrutimin dhe emërimin e Këshilltarit Ligjor në Gjykatën Komerciale.

Këshilli, aprovoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren I.AGJ.nr.1/22-84, të datës 29 gusht 2022, dhe vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë GJ.A.nr.747/22, të datës 2 shtator 2022, për ndryshimin e planit të punës të gjykatave.

Këshilli, gjithashtu aprovoi njoftimin e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore – SKGJK për pensionimin e gjyqtarit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, Ćerim Fazliji dhe gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Sejdi Blakaj.

Anëtarët autorizuan Kryesuesin e KGjK-së për nënshkrimin e aneks marrëveshjes për kryerjen e shërbimeve universale postare lidhur me Gjykatën Komerciale, duke përfshirë periudhën retroaktive, nga data kur gjykata ka filluar t’i dërgoj dërgesat me postë, në kohëzgjatje deri në përfundimin e marrëveshjes paraprake.

Po ashtu, anëtarët autorizuan Kryesuesin e KGjK-së për nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të projektit Iniciativa për Sundimin e Ligjit në Ballkanin Perëndimor: Krimi i Rëndë dhe i Organizuar (WBROLI SOC) dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të koordinimit në përpjekje të përbashkët për të mbështetur sundimin e ligjit, duke ofruar programe të fokusuara në drejtësinë penale dhe në transparencë dhe llogaridhënie.

Anëtarët e KGjK-së, autorizuan kryetarët e gjykatave që të mundësojnë kërkesën e projektit “Aftësim për Punësim”, për angazhimin e nxënësve/praktikantëve nga njëmbëdhjetë (11) Institucione Arsimore të Republikës së Kosovës, duke mundësuar angazhimin e tyre brenda kufizimeve ligjore që parashihen në legjislacionin në fuqi.

Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: themelimin e Panelit Hetimor në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/15/2022/GJTHGJL-AD/GJTHGJL.nr.11/2022 si dhe themelimin e Panelit Hetimor në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/16/2022/GJTHF-AD/GJTHF.nr.08/2022.

Ky takim i KGjK-së, pritet të vazhdojë edhe ditën e nesërme me pika të tjera të rendit të ditës, datë 9 shtator 2022, me fillim nga ora 09:00.