Mbahet takimi i dytë i Komitetit Drejtues për Strategjinë e Sundimit të Ligjit

Mbahet takimi i dytë i Komitetit Drejtues për Strategjinë e Sundimit të Ligjit

Prishtinë, 27 korrik 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, kanë mbajtur sot takimin e dytë të Komitetit Drejtues të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, në të cilin morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë këtij takimi, u diskutua rreth hapave që janë ndërmarrë nga KGJK, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe institucioneve të tjera partnere të përfshira në zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit.

Anëtarët e Komitetit miratuan Raportin gjashtëmujor për zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë, me ç’rast u diskutuan të arriturat dhe sfidat gjatë periudhës raportuese si dhe hapat që duhet të ndërmerren për zbatimin e aktiviteteve të cilat janë duke ngecur.

Kryesuesi Zogaj tha se KGJK në mënyrë sistematike është duke i reflektuar rekomandimet e strategjisë së sundimit të ligjit në të gjitha nismat dhe reformat në gjyqësor, duke filluar me administrimin e gjykatave, menaxhimin e proceseve rekrutuese për gjyqtarë të rinj dhe staf mbështetës në gjykata, administrimin e proceseve të vlerësimit të performancës së gjyqtarëve si dhe disiplinës.

“Kёshilli Gjyqёsor i Kosovёs ka qenё vёrtet proaktiv gjatё procesit tё rishikimit funksional tё sistemit tё drejtёsisё si dhe nё draftimin e Strategjisё sё Sundimit tё Ligjit. Pavarësisht sfidave nё finalizimin e rishikimit funksional tё drejtёsisё, dhe finalizimit tё strategjisё sё drejtёsisё, KGJK vazhdimisht mundohet ti inkorporoj dhe reflektoj rekomandimet dhe veprimet qё dalin nga Plani i Veprimit tё Strategjisё sё Sundimit tё Ligjit, nё kuadrin rregullativ dhe planet strategjike tё KGJK-sё”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj. Ndër të tjera, në këtë mbledhje u diskutua rishikimi i Planit të Veprimit të Strategjisë, mbështetja e donatorëve në zbatimin e aktiviteteve të Strategjisë si dhe zbatimi i standardeve të Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) nga Ministria e Drejtësisë, KGJK, KPK dhe Akademia e Drejtësisë.