Kryesuesi Zogaj, pjesë e punëtorisë për koncept dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës

Kryesuesi Zogaj, pjesë e punëtorisë për koncept dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës

Prishtinë, 26 korrik 2022 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, mori sot pjesë në punëtorinë e organizuar nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Programin e Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST, lidhur me koncept dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës.

Në këtë punëtori, grupi punues ka diskutuar rreth koordinimit për koncept dokumentin rreth Gjykatës Administrative dhe të Punës, më konkretisht për objektiven: Reforma nё Drejtёsinё Administrative. Po ashtu, të pranishmit diskutuan në përgjithësi për reformimin e kornizёs ligjore dhe institucionale pёr drejtёsinё administrative.

Kryesuesi Zogaj falënderoi Zyrën e BE-së dhe Ministrinë e Drejtësisë, për mbështetjen e kësaj nisme përmes Programit EUKOJUST, e cila do të ndikojë në lehtësimin e jetës së qytetarëve të vendit.

“Takimi i sotëm është vazhdimësi e përpjekjeve të koordinuara në kuadër të Letrës së Zotimit të cilën Gjykata Supreme, Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor e kanë nënshkruar për kryerjen e përbashkët të reformave në tri fushat kryesore: draft kodi i procedurës civile, reformimi i drejtësisë administrative dhe ristrukturimi i Dhomës së Posaçme për Çështje të Privatizimit të Gjykatës Supreme”, tha mes tjerash Kryesuesi Zogaj.